Basha te njësia nr 2: Platforma ime, zgjidhja e problemeve të qytetarëve

Kandidati i mazhorancës për bashkinë e Tiranës takon banorët e njësisë bashkiake nr 2
“Transporti publik, punësimi, ulja e taksave, arsimi, zhvillimi i lagjeve e pastrimi i tyre, janë shqetësimet kryesore që banorët e njësisë numër 2 në kryeqytet i shprehën sot kandidatit të mazhorancës për kryetar bashkie, Lulzim Basha”. Ndonëse në një zonë në zemër të Tiranës është e vështirë që këtë minibashki ta ndash nga fshatrat më të thella të vendit për nga infrastruktura që të ofron. Banorët e kësaj zone shprehën mbështetjen për Bashën pasi programi i tij ofron zgjidhje për problemet që i shqetësojnë.
Basha deklaroi para banorëve të njësisë nr. 2 se nëse nuk e mban këtë premtim nuk do të kërkojë një mandat të dytë. Taksat dhe tarifat e bashkisë kanë çuar në falimentimin e mjaft bizneseve të vogla në Tiranë, të cilat janë dhe gjeneratori më i madh i punësimit. Duke dëgjuar shqetësimet e vazhdueshme të biznesmenëve, Basha bëri të ditur se angazhimi i tij është heqja e 60 taksave dhe tarifave vendore dhe ulja e ndjeshme e atyre që mbeten. Shqetësim për banorët e Tiranës mbetet edhe mungesa e një transporti normal urban, gjendja e amortizuar e autobuzëve, të cilët veçse ndotjes së ambientit, u ofrojnë qytetarëve një shërbim aspak komod. Basha premtoi gjithashtu se pensionistët dhe të rinjtë nën moshën 18 vjeç do të udhëtojnë falas në transportin publik, ndërsa do të ketë tarifa të pranueshme për qytetarët. Basha u njoh edhe me shqetësimin e mësuesve të shkollës “Mihal Grameno”, mbingarkesën që ka kjo shkollë dhe ajo çka ishte më shqetësuese, mbetej mungesa e trotuarëve dhe ndriçimit në rrugën pranë shkollës, duke rrezikuar kështu jetën e fëmijëve, të cilët frekuentojnë me dy turne këtë shkollë. Në vijim të turit të tij elektoral, i ftuar edhe në një festë të organizuar nga studentët e 7 fakulteteve të Universitetit të Tiranës, Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, premtoi mbështetje dhe fonde të veçanta për sportin dhe sportistët shqiptarë, të cilët po ngrenë gjithnjë e më lart flamurin shqiptar në kompeticionet ndërkombëtare.
Krahas sloganit “Basha për Tiranën”, të rinjtë kanë zgjedhur edhe një tjetër slogan, që do të shoqërojë Bashën në fushatën e tij elektorale dhe ai është “Basha për të rinjtë”.
Ky slogan, sipas tyre, është i duhuri nisur nga politikat për të rinjtë që Basha ka në programin e tij, si për arsimimin, punësimin, por edhe argëtimin e tyre.