Italia: Brenda 6 muajve hiqen vizat për Shqipërinë
ADI SHKEMBI
Bashkimi Evropian do të heqë vizat me Shqipërinë brenda mesit të vitit të ardhshëm. Këtë e bëri të ditur dje në Tiranë Ministri i Brendshëm i Italisë, Roberto Maroni, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij shqiptar, Lulzim Basha. Në komunikimin me mediat, përfaqësuesi i qeverisë italiane bëri të ditur se këtë qëndrim do ta mbajë edhe në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Brendshëm në Bruksel, teksa shtoi se Tirana zyrtare ka bërë progres në përmbushjen e kritereve. “Në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave të Brendshëm të vendeve të Bashkimit Evropian, që do të mbahet në fund të këtij muaji, garantova ministrin Basha për angazhimin tim të plotë për të vendosur mbi realizimin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë brenda gjashtëmujorit të parë të vitit tjetër. Shqipëria i ka plotësuar kriteret e përcaktuara në lartësinë e duhur dhe në një kohë të shkurtër”, u shpreh Ministri i Brendshëm italian. “Jam i bindur se procesi i liberalizimit të vizave, por mbi të gjitha procesi i integrimit të Ballkanit në Bashkimin Evropian, duhet bërë sa më shpejt sepse ky rajon është pjesë e Evropës, sepse integrimi rrit nivelin e sigurisë për të gjithë vendet evropiane”, theksoi më tej ministri Maroni. Nga ana e tij ministri Basha informoi homologun italian mbi rezultatet e luftës kundër trafiqeve. Duke u ndalur në sigurimin e kufijve, Basha vuri theksin në instalimin e sistemeve moderne për kontrollin e kufirit, instalimin e sistemit TIMS, komunikimin e këtyre sistemeve me qendrën operacionale në Tiranë, lidhja e këtyre sistemeve në kohë reale me INTERPOL-in, shkëmbimi i të dhënave në kohë reale mes policisë kufitare me atë italiane dhe të vendeve të tjera të rajonit dhe ndërlidhja brenda një jave në të gjithë vendin me sistemin MEMEX. Basha bëri të ditur gjithashtu se Shqipëria ka shpërndarë aktualisht 265 mijë pasaporta biometrike, që sipas tij është numri më i madh i pasaportave biometrike për frymë, krahasuar me vendet e rajonit në këtë hark kohor. Në përfundim të takimit ministri Maroni në kuadër të vizitës zyrtare në Tiranë, vizitoi Qendrën e Personalizimit të të dhënave të Dokumenteve të Identitetit, Qendrën MEMEX dhe TIMS në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Pikën e Kalimit Kufitar të Rinasit. Ministri i Brendshëm i Italisë u takua dje gjithashtu edhe me Kryeministrin Berisha dhe Ministrin e Drejtësisë, Nishani. “Qeveria shqiptare do të realizojë të gjitha kushtet e vendosura nga Komisioni Evropian, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të mund të lëvizin lirshëm. Ne shohim integrimin dhe liberalizimin e vizave si një proces të bazuar në performancë dhe në të mirë të qytetarëve të vendit. Italia i njeh përpjekjet dhe arritjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve dhe si e tillë mund të jetë avokati më i mirë i Shqipërisë në proceset integruese”, tha Kryeministri Berisha, gjatë takimit me ministrin italian. Komisioni Evropian do të dërgojë në Tiranë misionin e tij të parë për të verifikuar plotësimin e kushteve përsa i përket sigurisë së dokumenteve dhe në muajt e parë të vitit të ardhshëm do të vijë misioni i dytë për tre blloqet e tjera të Udhërrëfyesit.