E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimi te DARFO, prokuroria verifikim llogarive bankare

 

ELBASAN/ ALDO KOZARJA

Pas arrestimit për abuzime të ish-drejtuesve të “Darfo”-s, Prokuroria e Elbasanit verifikon pasuritë e tyre. Ditën e djeshme, nga organi i akuzës janë nisur disa shkresa në adresë të zyrave vendore të Regjistrimit të Pasurive në Elbasan, Tiranë, Durrës e Librazhd për verifikimin e pronave që ata disponojnë. Sipas kryeprokurorit Elvin Gokaj, shkresa është dërguar për Eduard Belegun, Artur Belegun, Fatos Pengun dhe Tonin Gjonajn, në lidhje me abuzimin prej 6.5 milionë eurosh për të cilën akuzohen. Nëpërmjet saj u kërkohet ZRPP-ve nëse këta persona kanë regjistruar pasuri të patundshme gjatë viteve të fundit. Gjithashtu, prokurori i rrethit pohoi se u është kërkuar bankave që veprojnë në vend një raport mbi lëvizjet bankare të të arrestuarve mbrëmjen e së hënës me akuzën e vjedhjes në bashkëpunim, duke shpërdoruar detyrën. Periudha në të cilën ata akuzohen dhe ka prova sipas prokurorisë që kanë abuzuar, i përket asaj nga viti 2003 në 2006. Sipas prokurorisë, ish-punonjësit e “Darfo”-s, mes të cilëve Eduard Belegu që mbante postin e administratorit, kanë vjedhur nga ish-uzina e Ferrokromit, rreth 15 makineri të rënda. Ato janë kryesisht furra të shkrirjes së kromit dhe një sërë pajisjesh të tjera që pasi janë nxjerrë jashtë përdorimi janë transportuar me mjetet të tonazhit të rëndë drejt firmës së prodhimit të çeliqeve “Kurum”, ku dhe janë shitur për skrap. Sasia e skrapit e përfituar, për të cilën 4 të arrestuarit akuzohen se kanë përfituar, llogaritet në 150 mijë tonë. Duke dyshuar se shuma e përfituar nga këto veprime arrin në disa milionë dollarë, prokuroria po tenton të zbardhë dhe mënyrën sesi janë lëvizur paratë, çka nuk është arritur të mësohet deri tani. Për të hedhur dritë mbi këtë çështje janë shoqëruar e marrë në pyetje nga Prokuroria rreth 20 punonjës të kompanisë “Darfo”. Nga të dhënat e deritanishme, sipas organit të akuzës nuk pritet të ketë arrestime të tjera. Dosja e abuzimit në ish-uzinën e Ferrokromit u hap rreth 1 vit e gjysmë më parë, atëherë kur firma italiane e mori në koncesion atë, për një periudhë 30-vjeçare. Pasi kanë konstatuar abuzimet e para, përfaqësuesit italianë të “Darfo”-s kërkuan hetimin nga prokuroria, jo vetëm për dëmin e shkaktuar gjatë punës, por dhe se firma sipas kontratës duhet t’ia shlyejë dëmtimin palës shqiptare. Ndaj të katër të arrestuarve është vendosur nga gjykata masa e arrestit “burg pa afat”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›