“Protesta e gjatë e PS ndikon në përhapjen e gripit të derrit”
Sekretari i Përgjithshëm i PBDNJ-së, Leonard Solis shprehet se zgjatja e protestave të PS-së është e pakuptimtë dhe patologjike.
Ai e cilëson qëndrimin e Ramës karakteropati, ndërsa shton se në një periudhë kur gripi i derrave është në shpërthim, grumbullimi i njerëzve për një kohë të gjatë është me rrezik.
Dy ditë më parë, BE pranoi kërkesën e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat, ndërsa në të njëjtën kohë opozita në Fier kërkonte rrëzimin e Qeverisë. Si i gjykoni këto qëndrime?
Ishte një lajm i shumëpritur (sigurisht i pamjaftueshëm) dhe që kërkon ende punë për t’u kurorëzuar. Një vend që aspiron, duhet të ketë arritje për të qenë kandidat, por kandidati mund të mos anëtarësohet asnjëherë e të ngelet kandidat i përhershëm ose afatgjatë. Ky moment duhet të na inkurajonte e mobilizonte për të përshpejtuar reformat, programet e arritjet. Por jemi në situatën më të keqe politike qysh nga ngërçi i 1996! Harmonia politike pikë së pari, duhet për zgjidhjen e shumë problemeve të përbashkëta e konsolidimin e demokracisë së brendshme, për zhvillimin në të gjitha fushat e jetës së vendit dhe jo vetëm se do të hyjmë në BE. Ne nuk rrojmë e punojmë vetëm për në BE, por se stadi aktual e bën të domosdoshme një gjë të tillë. Është fatkeqësi e përhershme, që më shumë luftojmë për pronësinë e rezultatit se sa për rezultatin vetë!.. Por, kujdes! Asnjë forcë politike nuk duhet të arrijë deri aty sa ta mohojë, të guxojë ta rrezikojë një arritje e aq më keq ta sabotojë! Sot është koha që të dy forcat maxhore të lëshojnë nga pak dhe të përcaktojnë zonat e ndaluara, ku interesat partiake të mos i prishin punë zhvillimit të vendit. Zgjatja e protestave të PS, megjithëse kanë një shkak të qenësishëm, më duket e paarsyeshme dhe patologjike. Është një precedent që do të dëmtojë dhe zgjedhjet e ardhshme, duke i dhënë shkas palës tjetër, që të braktisë Parlamentin nëse nuk fiton. Asnjë simpati nuk kam për koston që po i krijon qëndrimi personal i Ramës, si vetë Partisë Socialiste dhe vetë Shqipërisë. Thjesht më duket karakteropati!
Opozita ka paralajmëruar një protestë 3 ditore nga dita e premte për të hapur kutitë e votimit. Çfarë mund të sjellë kjo protestë dhe çfarë mund të jetë dita e hënë (pas proteste) për PS dhe opozitën?
Protesta është një premtim e rrjedhim logjik i rrugës së ndjekur deri tani, pas zgjedhjeve jo korrekte të kryera. Mendoj se është e domosdoshme të zhvillohet në datën 20, sipas lajmërimeve. Ajo do të shërbejë që PS të vendosë “termometrat” politikë në sheshin
“Skënderbej”, të shohë sa takat e pakënaqësi zotëron, për të matur energjinë deri ku do të vazhdojë! Në qoftë se ajo do të degjenerojë, ne të kampit opozitar do të përpiqemi t’i gjejmë një arsye të justifikueshme, që pa e turpëruar kryetarin të hyjë me dinjitet në Parlament për të mbështetur reformat, por edhe bërë opozitë! Mosfutja në Parlament e opozitës ka çoroditur dhe të maxhorancës, e cila ka një ulje të tempit qeverisës dhe një lloj shkrehje. Tribuna partiake është e rëndësishme, por kurrë nuk i afrohet asaj parlamentare! Ju kujtoj se Partia Socialiste ka njerëz shumë të aftë, që dinë të bëjnë opozitë dhe ta venë Qeverinë e qeverisjen para një banko-provë të vështirë!
Grumbullimi i njerëzve për 3 ditë rresht në një periudhë shpërthimi të epidemisë AH1N1, përbën një rrezik publik? Cili është apeli juaj si mjek?
Gripi AH1N1 ka qëlluar formë e butë deri tani dhe mendoj se nuk përbën asnjë problem nga ana epidemiologjike! Do të shtojë numrin e njerëzve me imunitet aktiv. Nuk më shkon ironia me njerëz që protestojnë, aq më tepër që unë e respektoj masën e Partisë Socialiste dhe shumicën e drejtuesve të saj, por grumbullimet e gjata mund të ndikojnë në përhapjen e virusit! Jemi një kamp opozitar dhe ndryshimi ynë është se e pranojmë humbjen. Ne mundohemi ta njohim humbjen e të vetëkorrigjohemi.