Oferta “Basha”, alternativa tiranase për ata që duan një të ardhme më të mirë se të tashmen
Roma e lashtë mbahet mend ende sot jo vetëm për ndërtesat madhështore, për ujësjellësat, për Koloseun ku ndesheshin deri në vdekje gladiatorët, por edhe për rrugët e shumta që ndërtonit në të gjithë perandorinë e madhe. Në vendin tonë kalojnë shumë rrugë romake. Mirëpo ajo që mbahet mend mirë është rruga Egnatia. Aq shumë ishin rrugët sa të gjithë thoshin se të gjitha këto rrugë të çojnë në Romë. Kanë kaluar 2 mijë vjet histori nga ajo kohë dhe rruga mbetet ende një element bazik i shoqërisë dhe i qytetërimit njerëzor.
Kështu që, natyrisht, problemet e infrastrukturës kanë qenë gjithmonë të pranishme edhe në Shqipëri. Sidozot kur pas një viti, ne, bëjmë një qind vjet shtet i pavarur, megjithatë, infrastruktura rrugore mbetet një çështje jo e mbyllur. Me Rrugën e Arbrit dhe rrugën Tiranë-Elbasan pothuajse mbyllet projekti paraprak i qeverive “Berisha” për të zhvilluar vendin nëpërmjet lidhjes më të shpejtë automobilistike, çka favorizon qarkullimin e mallrave dhe të ideve. Rruga e Kombit, aq shumë e anatemuar nga Partia Socialiste, po luan një rol të padiskutueshëm në qarkullimin dhe motërzimin ekonomik, social e kulturor të kombit shqiptar. Të vetmit që janë kundër dhe frenues të zhvillimit mbeten njerëzit që mendojnë se “mideja” e tyre është “E vetmja Rrugë” (slogani infrastrukturor i Partisë Socialiste të kryesuar nga Edi Rama). Ky njeri do të monopolizojë Bashkinë e Tiranës duke e kthyer në një çiflig për miqtë e vet ndërtues të shfrenuar që s’ndalen përpara asgjëje.
Sakaq dje, për 1 prill, ai ishte në njësinë më të gënjyer në Tiranë, njësia nr.7, ku kryesocialisti paturpësisht tha se do të vijojë projekti “një pemë, një votë”. Në Tiranë janë pothuajse 800 mijë banorë, që do të thotë sipas Ramës do të ngulen 800 mijë pemë të reja? Rama në Tiranë do të ngulë 800 kolona pallatesh dhe jo aq pemë sa thotë në prag të fushatës elektorale. Kemi plot 11 vjet që premton pemë dhe ndërton pallate. Ai është në pikën më delikate të paraqitjes së ofertës së tij, pasi malli është i vjetër, kurse fjalët janë të konsumuara qysh herët.
Gjithsesi më keq se Edi Rama, në media rekord mban shtojca e tij komike Edi Shalësi, i cili, i prekur nga një formë e rrallë e autizmit, ridoli dje të zhurmonte një ditë më vonesë në Kombinat kandidatin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, me ca fjalë të Edvinit, si Luli i Saliut, Luli i Saliut etj. Asgjë më shumë. Ky nivel kulturor kaq i ulët demonstron hapur për nivelin intelektual që përfaqëson opozitën e bashkuar shqiptare. Janë në një moçal mendor ku e vetmja rrugë mbetet acarimi radikal i situatës politike për ta degraduar kundërshtarin në një demon. Oferta socialiste për të ardhmen e qyteteve ka kohë që mungon dhe do të mungojë derisa papjekuria të jetë prezente në udhëheqjen opozitare. Mjerisht ky muaj do të konsumohet nga banaliteti i një antifushate për shkak të thatësirës së ideve dhe shterrimit të projekteve europiane për qytetet, të cilat ende sot qeverisen nga drejtues socialistë, që duan të mbretërojnë sërish në kurriz të mirëqenies së qytetarëve, që mezi presin t’u shtohet cilësia e jetesës.
Pa shumë stërhollime, me një fjalë Tiranës i duhet një drejtues full-time, me kohë të plotë, që të punojë me pasionin e punës dhe detyrës së re, dhe jo një drejtues part-time, me kohë të pjesshme, që kohën më të madhe të ditës e kalon në selinë e Partisë Socialiste, duke thurur intriga e demonstrata për t’u bërë një ditë kryeministër dhe jo për t’iu përgjigjur problemeve që ngrenë qytetarët. Është koha për një frymë të re ekonomike, kulturore, shoqërore dhe civile, realitet që është prezent më shumë se kurrë, bile edhe arsyeja qytetare, që pavarësisht bindjeve politike do të mbështesë ndryshimin që aq shumë i mungon këtij qyteti. Modeli “Rama” është parakaluar gjithnjë e më shumë nga kërkesat gjithnjë në rritje për një Tiranë ndryshe e më afër parametrave europiane. Oferta “Basha” për një model të ri ekonomik, kulturor dhe civil të kryeqytetit qëndron. Zgjedhja është në favor të atyre që duan një të ardhme më të mirë se të tashmen.