E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundërshtarët e Ramës nisin takimet me bazën

10/09/2009  Përvijojnë përplasjet brenda PS-së

Baza socialiste do të përballet tashmë me dy aksione politike brenda radhëve të saj. Në këtë mënyrë, veç turit të takimeve me anëtarësinë socialiste, që startoi dje kreu në detyrë i PS-së Edi Rama, nesër nis një tjetër lëvizje, por kësaj radhe e ndërmarrë nga kundërshtarët e këtij të fundit. Një nga përfaqësuesit kryesorë të mendimit ndryshe në radhët e kësaj partie, deputeti Ben Blushi, bëri me dije lidhur me një çështje të tillë. Pritet që gjatë pasdites së nesërme Blushi së bashku me mbështetësit e tij të zhvillojnë takimin e parë në kuadër të një aksioni tjetër politik brenda radhëve socialiste, me qëllim konsultimin e ideve që përfaqëson ky grupim. Konkretisht, ishte vetë Blushi ai që përveçse shigjetoi ashpër fushatën e nisur nga Rama për postin e kryetarit të ri të PS-së, dha dhe arsyet se pse kundërshtarët e këtij të fundit do të ndërmarrin një tur të tillë diskutimesh dhe konsultimesh me bazën socialiste. “Edi Rama shkon si kandidat në bazën e Partisë Socialiste, por është një kandidat pa platformë. Ndërsa ne kemi një platformë, e cila synon të reformojë Partinë Socialiste, të bashkojë të majtën dhe të fusë opozitën në institucione”, - vuri në dukje Blushi. Madje, duke i mëshuar me forcë një çështjeje të tillë, anëtari i kryesisë së PS-së nënvizoi se “ne po konsultojmë një platformë, ndërsa Edi Rama konsulton një ambicie, ambicien e vet për të mbajtur me çdo kusht kreun e Partisë Socialiste”. Sipas tij, përfaqësuesit e këtij grupimi do të vazhdojnë të konsultojnë idetë e tyre. “Sigurisht që lufta e njeriut me idenë është gjithmonë në favor të idesë. Ideja fiton mbi njeriun, kjo është e lashtë sa bota dhe ka për të ndodhur edhe këtë radhë”, - theksoi Blushi. Por ndalur konkretisht në këto ide, deputeti socialist sqaroi se “ne jemi përcaktuar kundër bojkotit, si një iniciativë e papjekur politike, si një iniciativë me mbështetje personale dhe me interesa personale, të cilat nuk i shërbejnë forcimit të opozitës”. Një proces i tillë, në vlerësimin e tij, u ndalua për shkak të deformimeve të kongresit të fundit dhe nevojën për t’u konsultuar me anëtarësinë e Partisë Socialiste për disa ndryshime në statut. “Për një reformë brenda Partisë Socialiste. Ka shumë arsye për t’u konsultuar me socialistë që mendojnë si ne. Kjo gjë do të provohet në proces, pasi jam i bindur se numri i atyre që mendojnë se nuk ka arsye që Partia Socialiste të dalë nga Parlamenti dhe ka shumë më shumë arsye që Partia Socialiste të reformohet dhe të ndryshojë për të ardhur në pushtet, do të shtohet”, - shpreh Blushi. Në gjykimin e këtij grupimi, mund të jesh në Parlament dhe njëkohësisht mund të bësh protesta, pasi të dyja bashkë janë pjesë të një aksioni politik, dinjitoz, të cilën opozita nuk mund ta neglizhojë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›