E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Refuzojmë të njohim këtë parlament

10/09/2009  Edi Rama dhe Maqo Lakrori në Elbasan për të prezantuar platformat

“Shteti nuk mund të jetë një makinë elektorale”

Ka startuar dje prezantimi i platformës përpara anëtarësisë për kandidatët Maqo Lakrori dhe Edi Rama në teatrin “Skampa” të Elbasanit. Lakrori ka prezantuar fillimisht në vija të trasha platformën e tij për zgjedhje të parakohshme dhe për bashkimin e socialistëve në një broshurë të shpërndarë qysh në fillim të takimit. Ndërkohë Rama ka nisur fjalën duke u ndalur te largimet nga puna, që sipas tij janë bërë dhe po bëhen ndaj atyre personave që guxuan të marrin pjesë në mitingjet e Partisë Socialiste apo për shkak se besojnë në një alternativë tjetër nga alternative e pushtetit. “Ne kemi qenë ata që kemi mirëkuptuar dhe kemi mbështetur kur Shqipërisë i duhej anëtarësimi në NATO dhe sot i duhet anëtarësimi në BE. Por ky proces u transformua në kurorëzimin e maskaradës zgjedhore me një rezultat që për ne është i papranueshëm, nga i cili lindi dje një kuvend që nuk e ka legjitimitetin e plotë për të pasur një proces normal legjislativ dhe nga ku do të dalë një qeveri që është shëmbëlltyra e maskaradës zgjedhore nga njëra anë dhe nga degjenerimi i politikës nga ana tjetër. Shëmbëlltyra që bën bashkë Sali Berishën dhe Ilir Metën, si stacioni i fundit i një qeverisjeje që ka neveritur shqiptarët me dyfytyrësinë e vet dhe që nuk ka se si të çojë përpara vendin tonë, të çojë përpara ekonominë e vendit tonë, të çojë përpara të gjitha çështje jetike për familjet e shqiptarëve, që pa asnjë dyshim meritojnë të jetojnë në një Shqipëri demokratike. Shteti nuk mund të jetë një makinë elektorale e një grushti njerëzish në pushtet, por duhet të jetë në shërbim të të gjithëve. Prej këtej lind edhe pozicioni ynë i natyrshëm si një opozitë që ekziston në radhë të parë për të mbrojtur vlerat dhe parimet e demokracisë e të shoqërisë, e cila nëse sot nuk është një shoqëri që bashkëjeton në bazë të rregullave të mirënjohura në Europë, por për shkak të degjenerimit të politikës, e cila premton gjithçka dhe na tregon ditë pas dite se bën të kundërtën e asaj që na premton”, - tha Rama. Kryesocialisti aktual dhe kandidati për kreun e Partisë Socialiste ka nënvizuar edhe qëndrimin e kësaj partie ndaj Parlamentit. “Refuzojmë ta pranojmë këtë parlament si legjitim e përfaqësues të popullit shqiptar. Ky parlament nuk e ka legjitimitetin e domosdoshëm për të diktuar punët e vendit me forcën e kartonëve. Dhe nga ana tjetër, refuzojmë të pranojmë një realitet të deformuar të kësaj maskarade zgjedhore, e cila përfundoi me cenimin e një të drejte ligjore dhe demokratike për të hapur kutitë e dyshuara. Për të hapur kutitë ku Sali Berisha bashkë me Ilir Metën kërkon të mbajë peng të vërtetën e 28 qershorin”, - tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›