E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia dhe Franca kërkojnë reformimin e marrëveshjes së Shengenit

Kryeministri italian Silvio Berluskoni dhe presidenti francez Nikola Sarkozi bënë thirrje për shtrëngimin e politikës së kufijve të hapur të Bashkimit Evropian.

Pas takimit në Romë, Berluskoni tha se ai dhe Sarkozi besojnë se marrëveshja e Shengenit duhet të bëjë “përjashtime” në “rrethana të jashtëzakonshme”.

Sarkozi tha se Franca dhe Italia u kanë dërguar letër të përbashkët liderëve të BE-së, ku u bëjnë thirrje për reforma të marrëveshjes.

Marrëdhëniet mes dy fqinjëve janë ftohur pasi Italia u dha leje të përkohshme qëndrimi mijëra emigrantëve nga Afrika veriore, duke i lejuar të udhëtojnë në zonën Shengen.

Parisi e akuzon Romën se po përpiqet të shmangë përgjegjësitë duke lejuar emigrantët të kalojnë kufirin drejt Francës. Italia është ankuar se duhet të përballet e vetme me valën e imigrantëve.

Rreth 25 mijë emigrantë, kryesisht nga Tunizia, kanë mbërritur në Italinë jugore duke ikur nga trazirat në Afrikën veriore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›