E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Ekipi serb është treguar konstruktiv

“Pala kosovare i ka pranuar negociatat me kusht që ato të trajtojnë kryekëput çështjet teknike. Nëse në një moment çështjet politike si ndarja e Kosovës bëhen temë e dialogut, ai dialog për ne nuk do të jetë i pranueshëm”. Kështu ka deklaruar shefja e delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë Edita Tahiri në një intervistë për gazetën serbe “Blic”.
Megjithatë ajo thotë se “shefi i ekipit negociator serb deri më tani është treguar një negociator shumë konstruktiv i cili është i fokusuar më gjetjen e zgjidhjeve, ndërsa kjo jep arsye për optimizëm”, theksoi Tahiri, duke komentuar deklaratën e shefit të ekipit serb Borko Stefanoviç se pala serbe nuk i shmanget bisedimeve për ndarjen e Kosovës.
Kjo deklaratë, sipas Tahirit, nuk rrezikon bisedimet e mëtejshme “gjithnjë derisa ato i përmbahen kornizave teknike, siç është parashikuar me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB”, tha ajo.
E pyetur se çfarë pret nga raundi i ri i bisedimeve, Tahiri shprehet optimiste dhe beson që ato do të çojnë në paraqitjen e propozimeve finale të dyja palëve për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe ndërtimin e marrëveshjeve kornizë kur bëhet fjalë për lirinë e lëvizjes, telekomunikacionit, energjisë elektrike, vulave doganore etj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›