Italia e Greqia: Bashkim kombëtar për integrimin. Shmangen pyetjet e gazetarëve

Dy kryediplomatet gjate takimit me Berishen
Në disa shkrime e analiza të medieve të huaja, së fundmi ajo botuar në EUObserver, ato janë dy vendet që po japin një imazh të keq të Bashkimit Europian në Shqipëri. Bëhet fjalë për Greqinë e Italinë. Dy kryediplomatët e këtyre vendeve, në një iniciativë të përbashkët, kanë vizituar Tiranën, kanë takuar aktorët kryesorë dhe në një konferencë për shtyp kanë kërkuar një bashkim kombëtar për hir të integrimit.
Fillimisht në konferencë ka folur kryediplomati grek, Stavris Lambrinidis. Ai tha se palët në Shqipëri e kanë objektiv të qartë integrimin në BE.
Vizita jonë vjen në një moment kritik të rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian
Në takimet e shkëlqyera që kemi patur në Shqipëri kemi parë se palët kanë objektiv të qartë integrimin në Bashkimin Europian.
Ne jemi këtu të përfaqësojmë Bashkimin Europian, por përfaqësojmë edhe Italinë e Greqinë si vende që mbështesin fort integrimin e Shqipërisë. Kjo është koha për bashkim kombëtar drejt Europës.
Tashmë që parlamenti ka nisur punën, mendojmë se vëmendja e politikanëve shqiptarë duhet të jetë tek 12 prioritetet e Komisionit Europian.
Ne jemi të mendimit se Shqipëria i ka të gjithë kapacitetet e mundësitë për të plotësuar rekomandimet e Bashkimit Europian. Siç e dini edhe ju, në Selanik në vitin 2003 është hapur perspektiva evropiane për të gjithë rajonin. Liberalizimi i vizave dhe mbështetja për hyrjen në NATO janë provat që Shqipëria ka një të ardhme evropiane. Rruga që keni përpara është e vështirë, ka nevojë për përgatitje rigoroze dhe konsensus. Ne ju garantojmë se në këto reforma do jemi në anën tuaj. Do ju mbështesim në gjithë përpjekjet tuaja, tha Lambrinidis.
Kurse italiani Franko Fratini përsëriti thirrjen për një pakt kombëtar e shtoi se atë që politikanët e dy palëve bënë për anëtarësimin në NATO mund ta bëjnë dhe për anëtarësimin në BE.
Ne jemi këtu për tju mbështetur juve. Ne duam që Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Dhe fatkeqësisht kemi lënë pas dy vite të humbura. Tani duhet të përfitojmë nga kjo kohë e humbur. Interesi kombëtar është integrimi. Gjërat më të rëndësishme do jenë funksionimi i duhur i parlamentit, ekuilibri mes partive, emërtimet, etj.
Mbeten ende shumë gjëra, se si të bëhen rekomandimet e ODIHR. Unë mendoj se kjo është e mundur. Unë mendoj se është e mundur që partitë e mëdha të bien dakord për gjëra të tilla si zgjedhja e Avokatit të Popullit. Shqipërisë i duhet një pakt kombëtar për Europën. Njësoj siç ka bërë edhe me rastin e NATO-s. Ky pakt politik nuk duhet të diktohet nga Europa, por nga shqiptarët. Në rast se ndodh kjo, Shqipëria ka vërtet një shans shumë të mirë për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian, tha Fratini.
Ndërkohë, gazetarët e kanë pritur me shumë kuriozitet momentin e pyetjeve, pasi kryediplomati grek ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes së ujërave dy ditë më përpara. Por ambasadori i BE në Tiranë, Etore Sekui, ka thënë se do ketë vetëm dy pyetje për shkak se nuk ka kohë. Pyetjen e parë e ka bërë gazetarja e TV Klan, që konsumoi minuta të tëra për të thënë se opozita vijon të jetë e papërgjegjshme. Ajo i pyeti kryediplomatët se çfarë garancish kanë marrë prej saj.
Nuk mund të japim garanci për një raport pozitiv të Komisionit Europian. Gjithçka varet nga veprimet konkrete, nga arritjet konkrete. Nëse këto gjëra bëhen, do ketë kohë që të reflektohen në raportin që do dalë nga Komisioni ose në takimin e Këshillit në dhjetor. Rama tha se do bashkëpunojmë për funksionimin normal të parlamentit. Ne shpresojmë, tha Fratini.
E me këtë përgjigje është konsumuar koha dhe gazetarëve nuk iu dha shansi për një pyetje të dytë.