Italia ekstradon Arjan Kanen
Etleva Delia
Interpoli ekstradoi dje nga Italia, Arjan Kanen, personazhin që në vitin 2007 u dënua nga Krimet e Rënda me 20 vjet burg për shfrytëzim prostitucioni. Por më 3 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Lartë vendosi të kthejë për rigjykim dosjen penale në ngarkim të tij në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, pasi kishte zbuluar shkelje procedurale. Burime nga policia bënë të ditur se Kane akuzohej se në vitin 2001 kishte trafikuar të fejuarën e tij në Itali dhe më pas e ka detyruar që të ushtrojë prostitucion. Nga hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, është bërë e mundur të dokumentohet se Arjan Kane ka shfrytëzuar për prostitucion persona, me të cilët ekzistojnë lidhje të afërta gjinie, me mashtrim, me dhunë ndaj personit, që shtrëngohet për të ushtruar prostitucion jashtë Shqipërisë. Mësohet se gjatë vitit 1999-2001, Arjan Kane ka falsifikuar dokumentet dhe është martuar me një vajzë shqiptare, për ta trafikuar më pas në Itali. Kjo e fundit, nga deponimet e realizuara nga drejtësia italiane ka treguar gjithçka, duke qenë dhe shtysa e fillimit të hetimit. Kane, sipas burimeve, paratë që fitonte nga shfrytëzimi i femrave për prostitucion i kishte investuar në Shqipëri me aktivitete të ndryshme private, të cilat janë verifikuar nga organi i akuzës. Për këtë vepër penale ai u akuzua se e kishte kryer në bashkëpunim me ortakun e tij Fatmir Tahiraj, për të cilin disa muaj më parë Gjykata e Lartë vendosi pafajësinë.
ARRESTIMI NE ITALI
Arjan Kane është arrestuar nga policia italiane më 14 dhjetor të vitit 2007, në Milano, pasi rezultonte person i shpallur në kërkim për shfrytëzim prostitucioni. Sipas policisë, Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, me vendim të datës 27 dhjetor 2005, ka vendosur masën e sigurisë "arrest në burg" ndaj Arjan Kanes, pasi ai akuzohet se në nëntor të vitit 2001 ka trafikuar e shfrytëzuar për qëllime prostitucioni një shtetase me iniciale H.Xh. Vajza mësohet se fillimisht është trafikuar në Greqi dhe më pas në Itali, ku është detyruar të ushtronte prostitucion përmes keqtrajtimeve fizike. Prej kohës kur është arrestuar, vetëm dje është bërë i mundur ekstradimi i tij nga Interpoli, ku pritet që ai të përballet me akuzat që janë ngritur ndaj tij. Më 3 dhjetor të vitit të kaluar, Kane u shpall fajtor nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda për trafikimin dhe shfrytëzimin si prostituta në Itali të disa vajzave dhe u dënua me 20 vjet burg. Sipas vendimeve të gjykatës, Kane, bashkëpronar i kompleksit sportiv në kryeqytet "A%F" dhe hotel "Europa" në Fier, ka shfrytëzuar disa vajza në trotuaret e qyteteve italiane, fitimet e të cilave i ka investuar në Shqipëri. Sipas vendimit të gjykatës, Kane ka trafikuar dhe më pas ka nxjerrë në rrugë vajzën me iniciale H.Xh., me të cilën ishte fejuar. Po kështu ai ka bërë të njëjtën gjë edhe me dy vajza të tjera, L.K. dhe M.D., të cilat gjithashtu i kishte dërguar në Itali duke u falsifikuar dokumentet e udhëtimit njëlloj si të fejuarës së tij.