Kapet gomonia me 321 kile hashash në Itali, dyshohet për drogë shqiptare
ITALI - Policia e Leçes në Itali ka zbuluar në brigjet e Adriatikut një gomone në të cilën ishin fshehur 12 çanta me bimë narkotike kanabis sativa, me një peshë totale prej 321 kilogramë. Sipas mediave italiane, të cilat i referohen burimeve nga policia lokale e shtetit fqinjë, droga dyshohet se ka mbërritur në brigjet italiane nga Shqipëria dhe 3 persona, të cilët dyshohet se janë skafistët, janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim. Ndërkohë sipas burimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, policia shqiptare ende nuk është informuar zyrtarisht për ngarkesën e drogës që është zbuluar në Itali. Por të dhënat e policisë së vendit fqinjë, sipas mediave, flasin për një trafik nga Shqipëria, të ngjashëm me një vit më parë, kur rojet bregdetare zbuluan në det një gomone me 200 kilogramë hashash. Madje policia italiane bën të ditur se në gomone është zbuluar edhe një celular, i cili është verifikuar dhe rezulton të jetë i një kompanie telefonike që funksionon në Shqipëri dhe që dyshohet se i përket njërit nga skafistët që është shpallur në kërkim nga policia. Në një të përditshme italiane bëhet e ditur se hetimet për këtë dërgesë që vinte nga Shqipëria, kishin nisur disa javë më parë dhe policia ka qenë në gatishmëri për gomonen. Ndërkohë skafistët kanë pikasur rrezikun sapo kanë arritur në bregdet dhe janë larguar, duke u favorizuar edhe nga errësira, pasi aksioni është zhvilluar nga ora 4-5 e mëngjesit të djeshëm.