E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia heq burgun për krimin e emigracionit klandestin

“Ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, njoftoi dje në mbrëmje heqjen e dënimit me burg për krimin e polemizuar të imigracionit klandestin, që donte ta vendoste qeveria e Silvio Berluskonit”, - njoftoi agjencia “Ansa”.

Ministri shpjegoi në thelb përpara një komisioni parlamentar se burgu do të zëvendësohej nga një sanksion penal që do t'i hapte më pas rrugën "dëbimit të menjëhershëm" të të huajit pa dokumente.

Pas këtij sanksioni penal, “ne mund të procedojmë me dëbimin e menjëhershëm" të të huajit pa dokumente”, - shpjegoi ai.

Projektligji fillestar, që po shqyrtohet aktualisht nga Parlamenti, parashikonte një dënim nga gjashtë muaj deri në katër vjet burg. Maroni e bëri këtë njoftim, ndërsa shifrat e fundit mbi burgjet tregojnë një rritje të mbipopullimit të burgjeve me 56 768 të dënuar në fund të shtatorit për një kapacitet prej 42.992 vendesh.

Krijimi i këtij krimi u kritikua nga OJQ-të, opozita italiane, gjykatat dhe instancat evropiane. Ministri konfirmoi gjithashtu se do të merrte parasysh mendimin negativ të Komisionit Evropian për dëbimin automatik të qytetarëve të BE-së që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme apo banesa fikse, të parashikuar në projektligjin mbi sigurinë.

Ministri foli për 6.553 dëbime gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2008, një rritje me 28 për qind në krahasim me vitin e kaluar. “Afro 27 417 klandestinë kanë mbërritur në Itali gjatë së njëjtës periudhë”, - tha më tej ai.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›