E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia konfirmon mbështetje e Shqipërisë për në BE

Meta takon në Bukuresht ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Frattini

Vendi fqinj Italia deklaron edhe njëherë pozicionin e saj zyrtar ndaj sfidave të  integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ministri i jashtëm italian Franco Frattini gjatë një takimi të zhvilluar në Bukuresht me ministrin e Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, deklaroi se vendi i tij do të ketë në krye të axhendës së jashtme politike, mbështetjen ndaj integrimin të Shqipërisë.
Në punimet e Ministerialit të Nismës së Evropës Qendrore (NEQ), që u mbajt në Bukuresht, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta shkëmbeu bashkëbisedime ministrin e Punëve të Jashtme, Franco Frattini.
Nga ana e tij, Frattini vlerësoi progresin e arritur prej Shqipërisë në përmbushjen e kërkesave për liberalizimin e vizave dhe rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për reformat që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në kuadër të integrimit të saj evropian.
Ministri Frattini i shprehu Zëvendëskryeministrit Meta vullnetin e qeverisë italiane për ta parë Ballkanin Perëndimor si pjesë të Bashkimit Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur dhe shprehu bindjen se vendimi për lëvizjen pa viza të qytetarëve shqiptarë në hapësirën “Schengen” të Bashkimit Evropian do të merret shumë shpejt gjatë vitit që vjen.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta e siguroi ministrin Frattini për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha kërkesat për liberalizimin e vizave dhe i shprehu atij mirënjohjen e thellë për mbështetjen e fuqishme që Italia vazhdon t’i japë Shqipërisë në të gjitha proceset integruese.
Frattini, gjatë fjalës së tij në këtë Ministerial, theksoi rëndësinë e rilançimit të Nismës së Evropës Qendrore, me objektivin e favorizimit të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian për ato vende anëtare të Nismës që ndodhen ende jashtë tij, nga Shqipëria në Kroaci, nga Serbia në Bosnje-Hercegovinë e në Mal të Zi.
Ky ishte mesazhi që ministri Frattini përcolli në Bukuresht gjatë takimit të Ministrave të Jashtëm të NEQ-it.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›