“Vendi gëzon mbështetje të fuqishme për të realizuar lëvizjen pa viza”
Ministria e Jashtme përshëndet miratimin në PE të raportit për vizat të europarlamentares Fajon
Ministria e Punëve të Jashtme përshëndeti dje miratimin që u bë në Parlamentin Evropian të raportit të eurodeputetes Tanja Fajon, në lidhje me liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë një deklarate për shtyp, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Ralf Gjoni deklaroi se kjo rezolutë dhe deklarata që e bashkëshoqëroi atë në emër të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, e pranuar edhe nga Komisioni Evropian, është një mbështetje e fuqishme për Shqipërinë dhe për të gjithë rajonin.
“Propozimi për përfshirjen e menjëhershme të Shqipërisë në aneksin e dytë të vendeve të cilave nuk u nevojitet vizë për në BE, sapo ajo të përmbushë detyrimet e mbetura, dëshmon për përkrahjen e gjerë dhe të fuqishme që gëzon vendi ynë për të realizuar lëvizjen pa viza të qytetarëve dhe për të avancuar bindshëm në rrugëtimin tonë evropian pa vonesa”, u shpreh Gjoni.
Sipas tij, në deklaratën e përbashkët theksohet qartë vullneti politik brenda institucioneve të Bashkimit Evropian për një trajtim urgjent të çështjes së vizave për Shqipërinë, pasi Komisioni Evropian të ketë vlerësuar pozitivisht përmbushjen e të gjitha kritereve të Udhërrëfyesit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, bëri me dije se “qeveria shqiptare i siguron të gjithë partnerët tanë evropianë se ne do të përmbyllim me sukses dhe pa humbur kohë të gjitha detyrimet e mbetura në këtë proces, dhe se angazhimi ynë do të vazhdojë të jetë po kaq intensiv në çdo etapë të marrëdhënies tonë me Bashkimin Evropian”.
Ai shprehu besimin se, në kuadër të progresit reformator të vendit, lëvizja pa viza në BE do të realizohet brenda 6 mujorit të parë të 2010-ës.
“Ministria e Punëve të Jashtme, duke vlerësuar përkrahjen e plotë të të gjitha institucioneve të Bashkimit Evropian, është e vendosur në realizimin e hapave të mbetur dhe shpreh bindjen se lëvizja pa viza e qytetarëve shqiptarë në hapësirën ‘Shengen’ do të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur, brenda vitit 2010”, tha ndër të tjera, zëdhënësi Gjoni.