“Rezoluta e PE-së mbështetje me rëndësi politike për procesin e heqjes së vizave”

Kryeministri përshëndet dhe vlerëson të suksesshëm 6 muajt e dytë të 2009-ës
Kryeministri Sali Berisha theksoi dje në parlament se 6 muaj e dyta të vitit kanë qenë muajt e mbarësisë për shqiptarët duke theksuar se vetëm 3 ditët e fundit janë ditët e arritjeve të mëdha për të gjithë shqiptarët.
“Mbështetja e plotë politike për heqjen e vizave për shqiptarët, pranimi i kërkesës së Shqipërisë për statusin kandidat dhe votimi për suksesin për luftën kundër korrupsionit ku vendi përfitoi kompakt janë ditë të mëdha për shqiptarët”, u shpreh Berisha.
Shefi i ekzekutivit përshëndeti Parlamentin Evropian, për miratimin e rezolutës në të cilën kërkon që me plotësimin e kushteve nga Shqipëria, heqja e vizave për shqiptarët të bëhet me urgjencë.
“I jep mbështetjen e plotë politike, procesit të heqjes së vizave për qytetarët e Shqipërisë. Dje Këshilli i ambasadorëve të Këshillit të Evropës, 27 ambasadorë vendosën që kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit t’ia kalojnë për shqyrtim, ditët të ardhshme, Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian. Ditën e hënë, drejtorët e Bordit të Millenium Challenge Coorporation, votuan në unison se Shqipëria për suksesin e luftës kundër korrupsionit, plotëson këtë shtyllë kryesore, të përfitimit të kompaktit. Pra, janë tre ditë të mëdha, me tre zhvillime shumë të mëdha, për këtë qytetarët shqiptarë, për çdo familje shqiptare, për shoqërinë shqiptare në tërësi, për shqiptarët kudo që janë”, tha kryeministri.
Kreu i qeverisë shtoi se për qytetarët e këtij vendin, në raport me BE, nuk ka asgjë më të rëndësishme, asgjë më jetike, asgjë më të domosdoshme se sa të lëvizin të lirë në kontinentin ku ata janë ndër banorët më të parë në tërë historinë e tij. “Lëvizja e lirë dhe heqja e vizave për qytetarët shqiptarë ka implikacione, më të thella, politike, ekonomike, sociale, punësimin, shkollimi, dinjiteti njerëzor, por mbi të gjitha dua të them se ky proces i jep zgjidhje një problemi të madh që na u krijua 20 vitet e fundit në familjen shqiptare me ndarjen e saj për shkak të kafshatës. Dhe tani familjet janë dhe do të ndihen të bashkuara. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme për çdo qytetar shqiptar. Me liberalizimin e vizave, shqiptarët do të lëvizin të lirë, do të kenë shanse të mëdha punësimi dhe shkollimi, dhe them dhe njëherë më kryesorja, bashkimi familjar. Lëvizja e lirë, lëvizja pa viza është dhurata më e mirë, më e çmuar që u bëjmë këtyre vëllezërve dhe motrave kudo që punojnë sot ata. Parlamenti Evropian votoi sot një dokument themelor, pasi dihet se pas miratimit të Traktatit të Lisbonës, ky parlament jep fjalën përfundimtare për heqjen e vizave. Shqiptarëve ua dha në paradhënie, Parlamenti Evropian me votën e tij, i kërkoi këshillit të ministrave dhe komisionit evropian që sapo Shqipëria të plotësojë kushtet të ndërmerren procedura urgjente. Çka do të thotë me plotësimin e kushteve tona parlamenti ka votuar dhe do rivotojë vendimin që mori. Duke theksuar këtë besim të madh, erdha këtu për të siguruar shqiptarët se qeveria ime bashkë me ju me të gjitha institucionet shtetërore, heqjen e vizave e ka çështjen më kapitale”, garantoi kryeministri.
Kreu i qeverisë, Sali Berisha e konsideron integrimin e vendit në BE si një çështje që do të finalizohet me sukses të plotë. Kryeministri tha se përfundimi i procesit të zgjedhjeve dhe publikimi raporteve ndërkombëtare në lidhje me to, i hap rrugë shqyrtimit të kërkesës së statusit kandidat, e dorëzuar që në muajin prill të këtij viti.
Kryeministri shtoi se procesi i kandidimit dhe në tërësi i anëtarësimit të Shqipërisë, është një proces i vështirë, kompleks dhe që kalon përmes një universi reformash.