E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia lehtëson lëvizjen e emigrantëve

Lehtësohet lëvizja e emigrantëve shqiptarë në Itali. Ata mund të rikthehen në Shqipëri e të hyjnë sërish në territorin italian pa pasur nevojë për vizë. 

zirina llambro

Por personat që janë në pritje të rinovimit të lejes së qëndrimit dhe ata që duan ta marrin për herë të parë duhet të plotësojnë një sërë dokumentesh për të përfituar. Këtë ka bërë me dije dje ambasada italiane. Me anë të një deklarate zyra e shtypit e këtij institucioni ka publikuar të gjitha rregullat, që duhet të plotësojnë emigrantët për të përfituar nga lehtësirat e krijuara. Ato janë të vlefshme që nga fillimi i këtij muaji deri më 31 janar të 2009. Përfitojnë ata  qytetarët shqiptarë që jetojnë rregullisht në Itali, të cilët kanë kërkuar rinovimin e lejes së qëndrimit, ose lëshimin për herë të parë të lejes së qëndrimit për punësim, punë të pavarur ose për bashkim familjar. Ata mund të dalin dhe të rihyjnë nga territori italian. “Ministria e Brendshme e Republikës Italiane arriti përsëri të fitojë nga Këshilli dhe Komisioni i Bashkimit Evropian krijimin e lehtësimeve për të lejuar transitin, përmes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, e qytetarëve të Vendeve të Treta, të cilët janë në pritje të rinovimit të lejes së qëndrimit. Ky lehtësim është i vlefshëm nga 1 gushti 2008 deri më 31 janar 2009 dhe do të aplikohet vetëm për qytetarët e huaj, që  në ardhje nga Italia apo të drejtuar drejt Italisë – zotërojnë, në momentin e transitit në Zonën Shengen, dokumentet e kërkuara”, thuhet në deklaratën për mediat të ambasadës Italiane.
Dokumentet
Për të përfituar nga lehtësitë e lëvizjes emigrantët duhet të përgatisin një sërë dokumentesh, që do t’i paraqesin në momentin e transitit për në zonën Shengen. “Ata duhet të paraqesin kuponin e lëshuar nga Posta italiane S.P.A., që vërteton paraqitjen e kërkesës për rinovimin e lejes së qëndrimit; pasaportë në periudhë vlefshmërie; lejen e qëndrimit të skaduar”, sqaron ambasada. Sipas këtij institucioni, qytetarët e huaj në pritje të lëshimit për herë të parë të lejes së qëndrimit për punësim, për punë të pavarur ose për bashkim familjar, mund të kthehen në vendin e tyre të origjinës, ose në vendin ku banojnë dhe të hyjnë sërish në territorin italian, pa qenë e nevojshme për vizë rihyrjeje. Mjafton që të respektohen kushtet e kërkuara. Dalja dhe rihyrja në Itali të bëhet nga e njëjta pikë kufitare. Udhëtimi të mos parashikojë transitin nëpër vendet e tjera Shengen dhe i huaji të paraqesë pasaportën së bashku me vizën e hyrjes, në mënyrë që të kuptohen arsyet e qëndrimit (punësim, punë e pavarur apo bashkim familjar) si dhe kuponin e Postave Italiane S.P.A., që vërteton kërkesën e bërë për lëshimin për herë të parë të lejes së qëndrimit. Gjithashtu, personeli i kontrolleve kufitare duhet të vulosë dokumentin e udhëtimit dhe kuponin, që do të paraqiten nga personi që i zotëron, në momentin e daljes dhe rihyrjes në Itali.

Dokumentet e nevojshme

Qytetarët që janë në pritje të rinovimit të lejes së qëndrimit duhet të paraqisin :

Kuponin e lëshuar nga Posta italiane S.P.A. që vërteton paraqitjen e kërkesës për rinovimin e lejes së qëndrimit;

Pasaportë në periudhë vlefshmërie;

Lejen e qëndrimit të skaduar.

Qytetarët që presin  lëshimin për herë të parë të lejes së qëndrimit duhet:
Dalja dhe rihyrja në Itali të bëhet nga e njëjta pikë kufitare;

Udhëtimi të mos parashikojë tranzitin nëpër Vendet e tjera Shengen;

I huaji të paraqesë pashaportën së bashku me vizën e hyrjes, në mënyrë që të kuptohen arsyet e qëndrimit (punësim, punë e pavarur apo bashkim familjar) si dhe kuponin e Postave Italiane SpA, që vërteton kërkesën e bërë për lëshimin për herë të parë të lejes së qëndrimit;

Personeli i kontrolleve kufitare duhet të vulosë dokumentin e udhëtimit dhe kuponin, që do të paraqiten nga personi që i zotëron, në momentin e daljes dhe rihyrjes në Itali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›