E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjaku i pasigurt, një në dhjetë fëmijë rrezikon të infektohet

Një në dhjetë fëmijë, që ka nevojë për transfuzion gjaku, rrezikon të infektohet me hepatit madje edhe me SIDA. 

 Në “shënjestër”, janë jo vetëm hemofilikët e Talasemikët, por edhe të vegjlit, që për një arsye apo një tjetër e kanë të nevojshëm transfuzionin e gjakut. Të marrësh peshqesh një nga sëmundjet e rrezikshme në spitalin, ku shkon për t’u shëruar nuk përbën aspak çudi. Janë vetë mjekët që ngrenë alarmin dhe bëjnë apel për rritje të dhuruesve vullnetarë. “Risku për të marrë hepatitet është gjithmonë prezent, sidomos te kategoritë e personave që kryejnë shpesh transfuzion gjaku”, shprehen mjekët pediatër të shërbimit të hematologjisë pediatrie. Sipas tyre, periudha dritare (koha kur virusi nuk mund të identifikohet) njihet shkencërisht dhe për rrjedhojë gjithmonë frika është e pranishme. “Por për të minimizuar këtë fenomen, dhurimi vullnetar nga persona të shëndetshëm është zgjidhja më e mirë”, pohojnë mjekët. Nga të dhënat e spitalit “Nënë Tereza”, bëhet me dije se  66 fëmijë talasemikë janë infektuar nga hepatiti C prej transfuzionit të gjakut. Kjo kategori duhet të marrë lëngun jetik një herë në muaj. Veç tyre, janë infektuar edhe 50 pacientë me hemofili. Të gjithë duhet të marrin medikamente antivirale për të luftuar infeksionin. Kura për trajtimin e tyre vetëm për 1 muaj shkon në 2000 euro. Ndonëse përfitojnë rimbursime nga shteti shpesh prindërve u duhet t’i blejnë vetë ilaçet, për shkak të burokracive që hasin në tërheqjen e tyre falas. Trajtimi i fëmijëve që janë prekur nga hepatitet e ndryshme minimalisht shkon në 6 muaj, ndërsa kur sëmundja është kronike mund të zgjasë deri në 3 vjet. Lënia pas dore e këtij infeksioni mund t’u kushtojë të sëmurëve jetën. Kjo pasi përparimi i hepatitit C mund të shkaktojë edhe kancerin e mëlçisë. Me gjithë fushatat që janë bërë, vendi ynë renditët ndër të parët në Evropë për numrin tepër të ulët të dhuruesve vullnetarë. Pjesa më e madhe e nevojave mbulohet nga dhuruesit familjarë, ndërsa grupi i riskut janë “shitësit e gjakut”. Në këmbim të 400 gramëve ata paguhen 3400 lekë. Në kushtet e vështira ekonomike për të marrë këtë shumë parash mund të japin gjak edhe individë që mbartin sëmundje vdekjeprurëse si SIDA e hepatitet. Është kjo arsyeja pse Ministria e Shëndetësisë apelon për reduktimin në maksimum të kësaj kategorie dhuruesish.

Marrëveshje bashkëpunimi me spitalet spanjolle

Marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrisë së Shëndetësisë së vendit tonë dhe asaj spanjolle. Këtë konkludoi takimi i djeshëm mes  ministres Anila Godo, me Manuel Montabbio, ambasador i Spanjës në vendin tonë. Ministrja Godo, u njoh nga afër me projektin, synimet dhe kahet e zhvillimit të këtij bashkëpunimi, që pritet të avancojë dhe të modernizojë sistemin shëndetësor në Shqipëri. Z. Manuel Montabbio, theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer në fushën e mjekësisë midis dy vendeve, ku veçanërisht ky bashkëpunim konsiston në eksperiencën shumë të mirë në fushën e shëndetit për nënën dhe fëmijën. Ministrja e Shëndetësisë propozoi lidhjen e një marrëveshje bashkëpunimi midis ministrive të Shëndetësisë të dy vendeve si një hap drejt institucionalizimit dhe formalizimit të bashkëpunimit të deritanishëm, në shërbim të pacientit shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›