Bllokohen paratë për punët publike
Bizneset kanë hasur probleme në marrjen e parave, pasi degët e thesarit u janë përgjigjur se kanë defekt në sistemin e brendshëm
Financat: Kompanitë që avancojnë punimet e tyre, do të paguhen sipas kontratës, jo më shumë
TIRANË - Prej disa javësh, biznese të ndryshme që janë kontraktuar nga qeveria për kryerjen e një serë investimesh publike, si rrugë, ujësjellës e kanalizime, ankohen se nuk janë paguar ende për punën e bërë. Sipas tyre, zyra e thesarit nuk bën likuidimin e punimeve të kryera, me pretendimin se janë hasur probleme në sistemin e brendshëm që operon ky institucion, ndërkohë që ato shprehim dyshimin se shkaku i vërtetë i mos shlyerjes së tyre është mungesa e parave në buxhetin e shtetit. Nisur nga ky shkak, në një serë investimesh publike në të gjithë territorin e vendit, punimet janë duke u zvarritur nga kompanitë ndërtuese, gjithnjë me pretendimin se nuk janë paguar nga shteti ose kanë larguar fare makineritë e tyre deri në kryerjen e pagesave të prapambetura.
I kontaktuar dje nga "Shekulli", zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, shprehet se nuk ka dijeni mbi një fakt të tillë dhe se nuk ekziston asnjë shkresë nga Këshilli i Ministrave për të bllokuar pagesat e kompanive që janë kontraktuar për kryerjen e investimeve publike. "Nuk ekziston asnjë shkresë, të cilën qeveria t'ua ketë dërguar degëve të thesarit në rrethe, me qëllim bllokimin e pagesave ndaj kompanive që kryejnë punimet për një serë investimesh në të gjithë vendin", - tha Shehu, duke mohuar edhe pretendimet në lidhje me boshatisjen e arkës së shtetit.
Por, sipas tij, mund të ndodhë që kompanitë e ndërtimit që pretendojnë se nuk janë paguar, të kenë nënshkruar me shtetin kontrata që zgjasin më shumë se një vit, ndërkohë që punimet i kanë mbyllur në një periudhë më të shkurtër. "Mundet që kompanitë të kenë avancuar në punimet e tyre dhe, një investim, i cili kohën e zbatimit e ka, për shembull, tre vite, ata ta kenë përfunduar brenda një periudhe më të shkurtër dhe kërkojnë shlyerjen e plotë të të gjitha punimeve të bëra.
Në qoftë se për një investim të caktuar, punimet për përfundimin e tij, që siç e thamë më lart mund të zgjasin më shumë se një vit, dy ose tre, paratë në buxhet janë parashikuar që të shpenzohen në proporcion të drejtë për çdo vit. Pra, nëse investimi total kushton për shembull 100 lekë, edhe pse kompania mund ta përfundojë atë brenda një viti, në lidhje me atë investim nga buxheti vjetor janë parashikuar të shpenzohen 33 lekë, ndërsa pjesa tjetër do të likuidohet konform kohës së zbatimit që është përcaktuar për ç'do investim ", - tha Shehu.
Një shembull i denjë i problemit të ngritur nga bizneset në lidhje me moslikuidimin e tyre nga shteti është investimi që po kryhet për zgjerimin e rrugës Plepa (Durrës) - Golem, ku për shkak të zvarritjes së punimeve nga kompania ndërtuese, përdoruesit e rrugës, në mënyrë të përsëritur përballen me bllokime të vazhdueshme të trafikut në këtë aks. Pretendohet qe qeveria nuk i ka dhënë paratë firmës për të mbaruar punimet dhe për këtë punimet kanë ndaluar prej kohësh. Vetë firma nuk ka para për të mbaruar kontratën dhe është në pritje të derdhjes së tyre. Sipas kontratës, punimet në aksin në fjalë duhet të ishin përfunduar që në fund të muajit qershor, ndërkohë që nëse vazhdohet me këto ritme, përdoruesve të shumtë të kësaj rruge do t'u duhet të durojnë edhe për një kohë të pacaktuar trafikun e rënduar.