E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia miratoi masat shtrënguese

E kanë cilësuar si dekretin shpëtimtar të Italisë nga kriza financiare. Bëhet fjalë për paketën e masave shtrënguese prej 30 miliard eurosh, ndër to 20 miliardë shkurtime, që kryeministri italian, Mario Monti, është i vendosur ti prezantojë si të vetmen manovër, për të mbrojtur ekonominë italiane nga recesioni.

Kryeministri italian gjatë një konference për shtyp mbrëmjen e të dielës deklaroi se do të heqë dorë nga shpërblimi i tij, duke iu drejtuar drejtpërsëdrejti qytetarëve italianë me bindjen se paketa e re është urgjente për Italinë.

Monti foli gjatë për krizën e rëndë dhe nevojën për të shpëtuar sakrificat e të paktën katër gjeneratave, ndërkohë që borxhi publik i Italisë prej afro 120 për qind të GDP-së është shkaku i kësaj manovre të thellë.

Sipas Montit, ky borxh nuk u krijua për faj të evropianëve, por të atyre italianëve që nuk kanë mbrojtur interesat e gjeneratave të ardhshme.

Kryeministri italian insistoi në shkurtimin e shpenzimeve në politikë, duke cituar veçanërisht eliminimin e këshillave të provincave dhe ri-dimensionimin e Autoriteteve Lokale, ndërkohë që masat shtrënguese nuk do të përfundojnë me kaq.

Edhe pse tani për tani provincat nuk do të eliminohen, plani i masave të qeverisë Monti ri-dimensionon në masë rolin e tyre, ndërkohë që kundërshtarët e cilësojnë si një masë antikushtetuese.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›