E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia në zi, 5 mijë njerëz në funeralin e viktimave të tërmetit

 

Familjet e viktimave të tërmetit në Itali u kanë dhënë dje lamtumirën e fundit trupave të tyre, në një ceremoni emocionuese të organizuar nga qeveria italiane. Numri i viktimave arriti në 290. “Më është kërkuar nga të gjithë të mos i lë vetëm. Dhe unë e premtova përpara varreve: qeveria merr përsipër përgjegjësinë për të ndihmuar të prekurit nga tragjedia”, kështu tha kryeministri Silvio Berluskoni, duke premtuar një rikonstruktim të shpejtë të zonës. Pas ceremonisë së funeralit u gjet një tjetër trup nën rrënoja. Në qytetin e Aquila-s u zhvillua një meshë mortore në natyrë. Gjatë ceremonisë u lexua një mesazh i Papa Benediktit, ku thuhej se Ati i Shenjtë bashkohej me dhimbjen e familjarëve të viktimave dhe shpresonte se ata do të gjenin kurajën për ta mposhtur dhimbjen. E gjithë Italia ka mbajtur zi me flamujt në gjysmështizë. Rreth pesë mijë njerëz ishin në funeral. Mes rreshtave me arkivole, të binin në sy arkivolet e vegjël, të bardhë me trupat e fëmijëve, të cilët ishin vendosur mbi ata të prindërve të tyre. Viktima më e vogël e tërmetit ishte katër muajsh. Mesha u zhvillua në natyrë, pasi asnjë nga kishat nuk konsiderohet e sigurt pas goditjeve të tërmetit. Ky ishte tërmeti më i rëndë në Itali që prej tri dekadash. Ndërkohë në zonë lëkundjet sizmike vazhdojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›