E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia njeh patentën shqiptare

Nga 15 gushti 2009 patentat shqiptare do të njihen edhe në Itali, duke e konvertuar, pa qenë nevoja që qytetari shqiptar, me rezidencë në vendin fqinj, të hyjë në provimet teorike e praktike, të parashikuara nga ana e autoriteteve italiane për pajisjen me leje drejtimi. Vendimi duhet të kishte hyrë në fuqi me herët, pasi pala jonë e miratoi që në dhjetorin e 2008-ës, por Parlamenti italian e ratifikoi më vonë marrëveshjen dypalëshe.

Sipas Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, "Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë për konvertimin e lejeve të drejtimit të automjeteve", nënshkruar më 27 tetor 2008, do të hyjë në fuqi zyrtarisht më 15 gusht 2009. Marrëveshja midis dy qeverive do të ketë një kohëzgjatje prej pesë vjetësh. Nëse mbajtësi i lejes së drejtimit të lëshuar nga autoriteti shqiptar ose italian vendos rezidencën në territorin e palës tjetër, ai mund ta konvertojë lejen e tij të drejtimit në patentën e shtetit tjetër, pa iu dashur të japë provime teorike dhe praktike, me përjashtim të rrethanave të veçanta.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›