E Diel, 1 Nëntor 2026

Zona turistike mbetet e izoluar, s‘ka urë

Një fshat i tërë, një zonë turistike rrezikon të mbetet e izoluar për shkak të amortizimit të urës prej dërrase të ndërtuar nga vetë banorët. Bëhet fjalë për urën e fshatit Rrjoll që gjendet mbi lagunën e Vilunit. Ky fshat turistik ende i pazbuluar nga guidat turistike ndodhet pas plazhit të Velipojës dhe i gjithë fshati gjendet i shtrirë buzë Adriatikut në një natyrë të virgjër. Ura prej dërrase shërben si rrugë kalimi për 1500 banorët e fshatit. Kjo urë është ndërtuar para katër vitesh nga vetë banorët me mjete primitive dhe ura nuk është aspak e përshtatshme për të shërbyer si e tillë. Vitet e fundit fshati Rrjoll po frekuentohet gjithnjë e më shumë nga turistët, por ura prej dërrase e këtij fshati jo vetëm që është kthyer në makth për banorët, por dhe për plazhistët që kalojnë pushimet në këtë zonë. Ura është e gjatë 300 m dhe e gjerë 70 cm, por të çarat e dërrasave dhe rrëshqitja e bazamentit të urës ka bërë që kalimi të jetë tepër i vështirë dhe i frikshëm. Vetëm dy ditë më parë, një banor i fshatit, i cili po ecte në këmbë ra brenda së bashku me motorin që mbante për dore në ujë pas thyerjes së dërrasave të urës. Duke folur pas aksidentit të ndodhur, Kol Gjelaj shprehet: "Duhet të ndërhyhet sa më parë, pasi vetëm Zoti i shpëton këta njerëz këtej nga kalojnë. Është shumë guxim të kalosh mbi atë urë ku çdo vit bien brenda 5-6 persona. Dërrasat janë të kalbura dhe të duket sikur të mban, por në të vërtetë dërrasat thyhen. Kështu më ndodhi dhe mua që po ecja me motor për dore në këmbë vetëm kur e kam parë veten të fundosur në ujë e të mbuluar me gjak. Ne e kemi jetën të lidhur me atë urë ndaj ura duhet të bëhet përpara se të marrë jetë njerëzish".

Ndërsa në sezonin e dimrit, sipas banorëve, kalimi mbi urë për shkak të erës së fortë është i pamundur. Nga ana tjetër, shkak i amortizimit të urës janë bërë dhe disa banorë të fshatit, të cilët ecin me shpejtësi me motorë mbi urë duke dëmtuar dërrasat e urës. Në këto kushte kur ura tani nuk mund të mbajë dot njerëzit, fshatarët po transportojnë ushqimet për në fshat me varka ashtu siç bënin para shumë vitesh. Kalimi mbi ujë është e vetmja rrugë më e shpejtë dhe më e mirë që shërben për të lidhur fshatin me pjesën tjerë të vendit, pasi rruga me makinë në këtë zonë është thuajse e pakalueshme për të gjitha llojet e automjeteve.

Jashtë kamerës, kryetari i Komunës Velipojë, Nikoll Marku, shprehet se brenda këtij viti mbi lagunën e Vilunit do të ndërtohet një urë tip beli 1m e 30cm e gjerë dhe 300m e gjatë si dhe do të nisë puna për asfaltimin e rrugës rrëzë malit që lidh këtë fshat me qendrën e Komunës Velipojë. Fshati Rrjoll është zona turistike ku tashmë shihet e ardhmja e turizmit në veri të Shqipërisë, pasi do të kalojë korridori jug-veri buzë bregdetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›