E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta drejt shtrenjtimit, panik te konsumatorët

Nafta kapërcen kuotën e 73 dollarëve për fuçi, duke dhënë sinjale aspak pozitive për konsumatorët. Përtej analizës se rritja e çmimit reflekton rimëkëmbjen e ekonomisë botërore, ekspertët e fushës japin argumente shqetësuese për parametrat financiarë të disa ekonomive. Sipas tyre, shtrenjtimi i karburantit nuk vjen si rrjedhojë e rritjes së kërkesës për to, por si mungesë i rezervës së mjaftueshme në SHBA. Konkretisht, në tregjet amerikane nafta (light crude) është shkëmbyer për 70,89 dollarë për fuçi, ndërsa Brent-i londinez, gjatë ditës së djeshme, preku kuotën e 73,70 dollarëve.

Rritja e çmimit në tregjet e huaja mund të sjellë shumë shpejt pasoja të rënda për konsumatorët shqiptarë. Në fakt, tregtarët e shumicës nuk i kanë prekur çmimit që prej dy muajsh, duke i lënë në nivelin mesatar të 120 lekë për litër. Ata shprehen se nëse situata do të vazhdojë me këto ritme, me shitje gati 10 dollarë më shtrenjtë, atëherë reflektimi do të jetë i natyrshëm. Ndryshimi do të sillte kosto shtesë për sektorin e transportit, i cili për muaj me radhë (pas uljes nga 140 në 45 dollarë/fuçi), e pa veten më të lehtësuar.

Ndërkaq, duke iu rikthyer analizës së bërë nga britanikja e "Financial Times", që publikon të dhëna të reja për bankat në Angli, të cilat kanë nisur të fitojnë sërish. Sipas FT-së, fitimi i bankave rrit shpresën se bota është në prag të daljes nga kriza ekonomike. Pavarësisht kësaj, gazeta paraqet rrezik të madh çmimin e naftës. Sipas saj, ekzistojnë edhe dy rreziqe. I pari është se forcimi i prodhimit mundet të jetë afatshkurtër.

Rreziku i dytë është shtrenjtimi i naftës që, siç thekson gazeta, mund të bllokojë aktivitetet, edhe ashtu të varfra, ekonomike. Një fuçi nafte dje i ka kaluar 72 dollarë, që është çmimi më i lartë në 10 muajt e fundit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›