E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kakavijë, kapet me heroinë emigranti

Tenton të kalojë drogë për në Greqi, prangoset në pikën doganore të Kakavijës fieraku. Efektivët e policisë kufitare të Kakavijës kanë arrestuar në flagrancë Kristaq Mushën, 42 vjeç, i cili ka tentuar të kalonte për në tokën greke 4,650 kg heroinë, të cilën e kishte fshehur në kufonin e makinës së tij. Ndalimi i tij është bërë në orët e para të mëngjesit të djeshëm.

Sipas burimeve zyrtare të policisë në pikën e kalimit kufitar Kakavijë ka qenë ora 01:00 e së martës, kur gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip "Volkswagen Pasat" me targa greke ATE7507, të drejtuar nga shtetasi 42-vjeçar, Kristaq Musha, lindur dhe banues në fshatin Portëz të rrethit Fier është gjetur një sasi e konsiderueshme droge. Muzha, emigrant prej vitesh në Greqi udhëtonte për në Athinë, kur policia mundi të dallonte poshtë kufonit të automjetit të tij disa pako për të cilat dyshoheshin se kishin brenda lëndë narkotike të llojit heroinë. Menjëherë në vendngjarje në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës ka shkuar grupi hetimor dhe specialistët e sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, të cilët kanë vazhduar kontrollin e imtësishëm të automjetit dhe pikërisht poshtë aparatit të fshirjes së xhamave ata kanë mundur të verifikojnë dhe sekuestrojnë pakot me lëndë narkotike të fshehura në këtë pjesë të padukshme të autoveturës së emigrantit.

Sipas policisë, nga rikontrolli i këtij automjeti është bërë e mundur që në pjesën plastike poshtë aparatit të fshirëseve të xhamave të gjenden 9 pako të dyshuara se brenda kishin të ambalazhuar lëndë narkotike, që sikurse u provua më vonë ishte e llojit heroinë. Pakot e drogës ishin ambalazhuar në formë paralelepipedi, të mbështjella me letër ngjitëse natriban ngjyrë kafe dhe sipër çdo pakoje, në të dy anët e saj, ishte vendosur një mbishkrim me emrin e një personi të quajtur "Nazif".

Nuk dihet nëse personi me emrin Nazif ishte ai që do të merrte në dorëzim drogën në Greqi, ai që e kishte nisur drogën nga Shqipëria, apo nëse bëhej fjalë për një manovër e transportuesit për të shmangur përgjegjësinë penale në rast se kapej nga policia shqiptare apo greke gjatë udhëtimit.

Pas peshimit të 9 pakove të zbuluara nga ekspertët, rezultoi se pesha e përgjithshme e drogës ishte 4.650 gramë. Mësohet se nga ana e agjentëve dhe specialistëve të sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Kristaq Musha, i akuzuar për kryerjen e veprës penale "Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike", parashikuar nga neni 283 /a i Kodit Penal dhe se nga policia janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 9 pakot me lëndë narkotike, automjeti, 2 aparate celulare dhe një kartë SIM COSMOTE.

Materialet dhe provat e dokumentuara i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme. Mësohet gjithashtu se për të kapur dhe hetuar më tej fijet e këtij trafiku, pala e policisë shqiptare ka komunikuar menjëherë me homologët grekë për të shtrirë hetimet edhe në territorin grek.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›