E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet, 40 për qind e bizneseve janë pajisur me kasa fiskale



Ervin KOÇI

Afro 40 për qind e biznesit në vend është pajisur me kasa fiskale. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, aktualisht janë pajisur 33 mijë subjekte nga rreth 80 mijë të tillë që kanë detyrimin ligjor për t’u pajisur me aparatin matës elektronik të xhiros. Sipas Tatimeve, për çdo biznes që konstatohet pa kasë fiskale do të aplikohen masa ndëshkuese deri në bllokim të aktivitetit. Kompanitë e autorizuara për tregtimin e kasave, thonë nga ana tjetër se interesi nga biznesi është rritur ndjeshëm kryesisht gjatë javëve të fundit. Tatimet i bëjnë thirrje tatimpaguesve të pajisen sa më shpejtë me kasa fiskale dhe të dorëzojnë pranë pushtetit vendor, para datës 28 shkurt dokumentacionin përkatës, në mënyrë që të përfitojnë nga rimbursimi prej 44 mijë lekësh për çdo aparat të instaluar. Gjithashtu, në bazë të Ligjit nr. 10 354, datë 18.11.2010, të gjithë tatimpaguesit, të cilët kanë detyrimin për instalimin e pajisjeve fiskale dhe kanë bërë pagesën e blerjes së pajisjes së parë fiskale deri në datën 28.2.2011 nga “Shoqëritë e autorizuara sipas kontratës përkatëse”, iu rimbursohet pagesa deri në shumën 44 000 (dyzet e katër mijë) lekë. Gjithashtu edhe bizneseve që operojnë në fushën e transportit, përcaktuar në shtojcën 5 të këtij ligji, dhe që kanë detyrimin për t’u pajisur me taksimetër, i rimbursohet pagesa e bërë për blerjen e taksimetrit, sipas kontratës përkatëse, deri në shumën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë. Në bazë të këtij Ligji, rimbursimi kryhet në çastin e pagesës së këstit/kësteve pasardhës/pasardhëse të taksës së biznesit të vogël.

Kontrollet
Data 31 dhjetor 2010 ishte dhe afati i fundit i vendosjes së kasave fiskale nga subjektet e biznesit të vogël me TVSH-ë në të gjithë vendin. Administrata Tatimore po kryhen kontrolle dhe në rastet kur konstatohet mos instalimi i kasës, vendoset gjobë. Kontrolle po kryhen edhe në pikat e karburanteve. Sipas drejtuesve të Administratës Tatimore, gjatë vitit të kaluar nga kontrollet e zhvilluara për mospajisje me kasë fiskale, janë vendosur 424 milionë lekë gjoba. Ndërkohë, qeveria ka miratuar vendimin për kompensimin e bizneseve për kasat fiskale nga buxheti i shtetit.

Kuponi tatimor
Qytetarët shprehen se nuk pajisen me kuponin tatimor në çdo vend që bëjnë blerje. Sipas qytetarëve, më të rregullt në dhënien e faturave janë dyqanet dhe supermarketet ndërkohë që në tregje nuk pajisen asnjëherë me faturë tatimore me TVSH. Vendosja e kasave fiskale shkaktoi një sërë protestash prej tregtarëve, sipas të cilëve ishte e pamundur që të përballoheshin çmime aq të larta. Në këtë mënyrë qeveria i ofroi tregtarëve subvencionim dhe vendosi si afatin e fundit të vendosjes së kasave fundin e dhjetorit 2010.

Ekspertët e ekonomisë në Kosovë, kundër subvencionimit të KEK-ut

Subvencioni i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) që nga pas lufta e këndej në shuma të mëdha të parave nga buxheti i shtetit, sipas ekspertëve të ekonomisë i ka ardhur fundi. Ata thonë se me këto subvencionime që po i bënë qeveria, qytetarët po e paguajnë dy herë energjinë elektrike. Edhe pse KEK-u ka marrë 124 milionë euro si subvencione nga qeveria, furnizimi me energji elektrike nuk është ende i stabilizuar. Zyrtarë të kësaj korporate kanë thënë se ata edhe gjatë këtij viti do të kërkojnë para nga qeveria. Ndërsa, si mundësi e mirë për të mos subvencionuar shihet ngritja e kapaciteteve të reja energjetike. Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se me gjithë subvencionimet buxhetore dhe kredidhënien buxhetore për investime të mëdha kapitale KEK-u nuk ka arritur ende stabilizim në furnizim. Sipas tij, “stabiliteti financiar i kësaj kompanie do të arrihet vetëm me privatizim të pjesshëm apo të plotë të kompanisë që do të ndikonte në rritje të performancës dhe në zvogëlim të barrës buxhetore që jep buxheti i Kosovës për këtë kompani”.

BSPK-ja e kënaqur me ngritjen e pagave nga qeveria Thaçi

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), shprehet i kënaqur me vendimin e qeverisë për ngritjen e pagave dhe pret që i njëjti të realizohet. Po ashtu u tha se BSPK-ja së shpejti do ta mbajë Kongresin ku pritet të fuqizohen reformat. Vendimi i qeverisë së kaluar të Kosovës për ngritjen e pagave për disa kategori, është mirëpritur nga BSPK-ja. Kryetari, Haxhi Arifi tha gjatë një konference për media të martën se, i gëzohet faktit se ka ndodhur një ngritje e mirë e pagave por që do të presim deri në fund të muajit realizimin e tij. Ai tha se, “BSPK-ja po shkon drejt reformimit, me çka po synohet që në të ardhmen të ketë 10 degë të fuqishme dhe me anëtarë në realitet”. Kjo pritet të zyrtarizohet në Kongresin e radhës të BSPK-së që do të mbahet më 19 mars, theksoi Arifi. Ndërsa sa i përket Ligjit të Punës, Arifi tha se, “ky ligj ka filluar të vihet në zbatim më 10 janar 2011, dhe se BSPK-ja do të përcjell në çdo hap punën rreth implementimit të ligjit në fjalë”.

Mungesa e qeverisë, administrata kosovare rrezikon të mbetet pa para

Institucionet e Kosovës rrezikojnë të mbesin pa buxhet për këtë vit. Nëse formimi i qeverisë së re vonohet deri në mars, ashtu siç po paralajmërohet, atëherë shteti mbetet pa arkë, pasi ky ekzekutiv ka mundësi të bëjë shpërndarjen e buxhetit vetëm për dy muajt e parë të këtij viti. Në ligj parashihet se Kuvendi mund ta autorizojë ndarjen e buxhetit edhe për muajin mars, mirëpo nëse nuk do të formohet shumica parlamentare deri në atë kohë, atëherë çështja e buxhetit do të përfundojë në një “rrugë pa krye”. Ekspertët thonë se mosmiratimi i buxhetit paraqet një situatë të rëndë për zhvillimin ekonomik të vendit, ku Kosova do të ballafaqohet me ngecje ekonomike, ngecje në hapjen e vendeve të reja të punës etj. Ministri në largim i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ditë më parë është shprehur optimist se shumë shpejt do të formohet qeveria e re, e cila do të ketë mundësi ta miratojë buxhetin e vitit 2011. Sipas tij, mundësitë ligjore për shfrytëzimin e buxhetit janë për dy muajt e parë të vitit dhe me pas Kuvendi i ri duhet të miratojë
buxhetin e ri.

Shtrenjtimi i bukës, indikator për rritjen e çmimeve në Kosovë

Rritja e çmimit të miellit në dhjetor të vitit 2010 ka qenë indikatori kryesor që ka ndikuar në rritjen e çmimit të konsumit të përgjithshëm për këtë muaj. Sipas të dhënave të Entit të Statistikave të Kosovës, rritja e çmimeve të bukës ka bërë që konsumi të ketë rritje prej 1%. Buka dhe drithërat kanë pasur rritje prej 4.3%, por që kishte ndikim në 0.4%. Perimet u rritën 7.0%, përdorimi i pajisjeve për transportin personal u rrit me 1.5%, me një ndikim prej 0.1%, si dhe disa grupe dhe nëngrupe të konsumit me një ndikim të përbashkët prej 0.2% në Indeksin e Çmimeve të Konsumit. Por, nëse bëhet krahasimi me çmimet e dhjetorit 2010 dhe dhjetorit 2009, atëherë çmimet e konsumit kanë arritur në 6.6%. Edhe atë vit drithërat dhe buka kanë qenë indikatorët kryesor të rritjes së çmimit të konsumit me 28.1%, me një ndikim prej 2.8%. Brenda një viti kosovarët shpenzojnë 423 mijë tonë bukë që në para i bie mbi 40 milionë euro. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, gjatë një viti për kokë banori nevojiten 205 kilogramë grurë ose 410 mijë tonelata.

KEK-u i Kosovës, më shumë rrymë në verë sesa në dimër

Pikërisht gjatë verës, kur kërkesa për rrymë bie, Korporata Energjetike e Kosovës ka blerë më së shumti energji elektrike. Madje, edhe më shumë se në muajt me të ftoftë të vitit. Fjala është për 3-mujorin e tretë të vitit 2010, kur importi i energjisë, sipas Entit të Statistikës të Kosovës, është rritur për 72%, krahasuar me atë paraprak. Saktësisht, në tre muajt e verës, KEK-u ka importuar mbi 186,5 GW/h energji, prej 73,2 GW/h sa ka qenë në 3-mujorin e dytë. Vetëm për këta tre muaj, korporata ka shpenzuar afro 10 milionë euro në import. “Krahasuar me 3-mujorin e dytë të vitit 2010, importi i energjisë elektrike është rritur për 72,3%”,- thuhet në raportin më të fundit të ESK-së, rreth bilancit të energjisë. Kështu, vetëm këto katër vitet e fundit, KEK-u i ka “gëlltitur” buxhetit të Kosovës, rreth 200 milionë euro. KEK-u nga ana e tij, importin e lartë gjatë verës, e ka justifikuar me faktin se, në këtë kohë blloqet e termocentraleve kanë qenë në riparim të planifikuar. Gjatë kësaj kohe ka rënë edhe prodhimi i qymyrit në Kosovë.

Liria ekonomike, Maqedonia renditet e 55-ta në botë

Sipas një klasifikimi për vitin 2011, të publikuar dje nga Fondacioni Amerikan "Heritage", Maqedonia renditet vendi i 55-të në botë për nga liria ekonomike. Indeksi 2011 renditi 157 vende mbi bazën e dhjetë faktorëve. Ato përfshijnë politikën e tregtisë, peshën fiskale të qeverisë, ndërhyrjen e qeverisë në ekonomi, politikën monetare, hyrjen e kapitalit dhe investimin e huaj, bankat dhe financat, pagat dhe çmimet, të drejtat e pronës, drejtimin dhe veprimtarinë e tregut jozyrtar (apo të zi). Çdo vendi i është dhënë një normë nga 1 në 5 për çdo masë, me 1 duke qenë më e mira. Maqedonia njihet për liritë tregtare, shpenzimet shtetërore, ndërsa çalon në të drejtën e pronësisë dhe korrupsionin në vend. Si në të gjithë publikimet vjetore të Indeksit, Hong Kongu dhe Singapori përfunduan në vendin e parë e të dytë. Ato pasohen nga Australia, Irlanda, Estonia, Luksemburgu, Islanda, Britania, Estonia etj. Koreja e Veriut dhe Kuba janë shtetet të cilat janë në fund të listës.

13 Janar 2011

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›