Italia perfaqesuese e Shqiperise

Më së shumti, do t’i takojë Italisë të përfaqësojë interesat e Shqipërisë për sa kohë ka një rrjet më të shtrirë diplomatik në mbarë globin.
“Është një marrëveshje që i jep mundësi Shqipërisë të rrisë përfaqësimin në ato zona ku nuk është e përfaqësuar. Vendosja e ambasadave të Italisë në funksion të diplomatëve tanë na jep mundësi të aplikojmë një diplomaci për vendosjen e marrëdhënieve dypalëshe me vendet e gjithë botës”, ka deklaruar ministri i Jashtëm shqiptar Edmon Haxhinasto, pas nënshkrimit të marrëveshjes me homologun Franco Frattini.
Ky i fundit ka vlerësuar ndër të tjera se, edhe pse në Shqipëri ka një krizë politike, institucionet e vendit funksionojnë.
“U duhet shpjeguar qytetarëve se cfarë është kriza politike. Në Shqipëri mund të ketë konflikt politik, por Parlamenti dhe institucionet funksionojnë”, ka thënë Frattini.
Shefi i diplomacisë italiane do të vizitojë së shpejti Kosovën dhe për këtë arsye ka diskutuar me ministrin Haxhinasto edhe mbi raportin e reporterit të KiE, Dick Marty.
“Raportit të Marty nuk do t’i japim më shumë rëndësi sesa duhet. Proceset e rajonit nuk pengohen nga asnjë raport dhe me ministrin Frattini kemi rënë dakord për mbështetjen e Kosovës, në mënyrë që edhe ajo të ecë përpara”, ka shtuar Haxhinasto.