E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhetim ne Shqiperine e humbur

Fenomeni i vrullshëm i shpopullimit të fshatrave u vendos në qendër të kamerave të reportazhit të së hënës në “Shqipëria Tjetër”.

Këtë herë, në qendër të vëmendjes u vendos fshati Shtëpëz, pranë Gjirokastrës, dikur me 120 shtëpi dhe me 800 banorë. Aktualisht, askush nuk banon më në të, ndërsa banesat janë rënuar dhe pushtuar nga shkurret e myshqet.

Në rrjedhjën e shekujve, për vetë pozicionin ku është ngulitur, banorët e quanin Shtëpëzin si ballkonin e Labërisë. Vetëm shtatë kilometra nga rruga kombëtare, fryma e fundit u largua nga fshati një dekadë më parë, kryesisht për shkak të pamundësisë për t’u lidhur me botën. Rruga tejet e amortizuar është e kalueshme vetëm me ndonjë fuoristradë.

Zhurma e vetme që mund të dëgjosh është ajo e këmborëve të një tufe delesh, pronë e një bariu që dikur ishte banor i Shtëpëzit. “Vetmia dhe mërzia duken qartë, por prapë njeriun e ruan shpresën që një ditë njerëzit mund të ringuliten në këtë zonë”, thotë Nazmi Peta.

Shkolla, një godinë dy katëshe me disa klasa, është dëshmi e popullimit të dikurshëm të fshatit. “Këtu kishte pothuajse 100 nxënës. Gjysma e arsimtarëve vinin çdo ditë nga Gjirokastra, ndërsa pjesa tjetër banonin në fshat”, kujton bariu.

Në Shtëpëz, dikur kishte shtëpi kulture dhe dyqane, ndërsa 204 vjet më parë, koloneli britanik William Martin Leak, që njihet sot si një kontribues i madh në studimet shkencore dhe ato albanologjike, kaloi një natë në këtë zonë.

Ai i kujtoi banorët e Shtëpëzit në shkrimet e tij si tepër të varfër, por edhe shumë bujarë e luftëtarë të zotë.

Për fatin e keq, në një epokë ku zhvendosja e popullsisë është e lirë dhe fshatrat janë bërë gjithmonë e më pak tërheqës për jetesën, fatin e Shtëpëzit e kanë patur edhe shumë zona të tjera rurale në Shqipëri.

E ndonëse ish-banorë si Nazmi Peta vazhdojnë të shpresojnë për kthimin e rrotës së historisë, për momentin mbetet të recitojmë vetëm një këngë që na mëson bariu, e cila i thurr lavde të kaluarës së ndritur të fshatit:

”O mor Shtëpëz i lashtë, ishe qëndër e kazasë, fshat me 400 shtëpi. Ajo kulla me tri kate që mblidhte atë pari, ai mali për një krye, ku dy kala bënin roje, një në jug e bnjë në veri”.



Foto

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›