Buxhetoret qeveria vonon pagat

Deri në datën 5 asnjë nga punonjësit e administratës nuk e kishte marrë pagën. Pas kësaj date janë shpërndarë pagat për një pjesë të administratës, por edhe tani një pjesë e mirë e buxhetorëve ende nuk i ka marrë ato.
Ministria e Financave nuk e konfirmon por as nuk e mohon ndodhinë, dhe nuk jep asnjë përgjigje se cili është shkaku që qeveria po i vonon pagat për administratën.
Jo zyrtarisht, buxhetorëve u janë thënë disa justifikime që kanë të bëjnë me vonesën e hyrjes në fuqi të buxhetit të ri edhe pse ai është miratuar që në dhjetor.
Madje, në disa raste nën zë thuhen motive gati qesharake që i lidhin vonesat e pagave me disa probleme teknike në Bankën e Shqipërisë, të përgënjeshtuara zyrtarisht nga vete banka qendrore.
Por, përtej justifikimeve jozyrtare dhe përtej asaj se cilat janë shkaqet reale se pse pagat po vonohen, kjo është hera e parë, të paktën për këto vitet e fundit, kur qeveria nuk i paguan në kohë punonjësit e saj.
Një lajm i cili vjen pas atij për heqjen e pagës së 13 dhe përjashtimin për herë të parë të pensionistëve nga shpërblimi i festave të fundvitit, ngjarje që të treja bashkohen në një pikë, atë të gjendjes së financave publike, që po vuajnë ndoshta pasojat e para të borxhit të rritur.