E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Djegia e fletëve të votimit mbylli negociatat PD-PS”

10/01/2011  Deputeti i PD-së, Alibeaj komenton situatën politike pas vendimit të KQZ-së

Djegia e fletëve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, duket se ka djegur të gjitha shanset e komunikimit mes dy forcave kryesore politike në vend. Deputeti i Partisë Demokratike, Enkeled Alibeaj, gjatë një prononcimi për mediat thotë se pas asgjësimit të objektit kryesor të konfliktualitetit politik, fletëve të votimit të 2009-s, tashmë negociatat PD do ti ketë vetëm me popullin. Sipas tij, ky duhet të jetë objektivi dhe për opozitën, nëse kërkon të shkëputet nga imazhi i konfliktuesit. “Mund të themi me plot gojën që jemi në fushatë zgjedhore. Jemi në një marrëdhënie tashmë jo pozitë-opozitë. Tashmë jemi futur në një marrëdhënie të re midis klasës politike dhe zgjedhësve shqiptarë. Tashmë sfida jonë nuk është më me opozitën. Sfida jonë është me zgjedhësit shqiptarë. Në mënyrë që opozita të mos konsiderohet si një lëvizje anarkike, si një lëvizje jocivile, thjesht dhe vetëm do detyrohet të na ndjekë pas edhe në këtë lloj marrëdhënieje të re me qytetarët shqiptarë”, deklaroi deputeti Alibeaj. Djegien e fletëve të votimit, deputeti i partisë në pushtet e sheh si një ogur të mirë, pasi bëhet fjalë për zbatimin e Kodit Zgjedhor, ndonëse me vonesë. “Një procedurë ligjore e cila i dha fund një procedure politike anormale. Është një ogur i mirë për gjithë shqiptarët. Është ogur i mirë për të gjitha institucionet shqiptare, të cilat duke iu referuar ligjit mund jo vetëm të konsolidojnë forcën e tyre, jo vetëm të konsolidojnë pozicionin e tyre, por ti japin dhe leksione të mira në këtë rast edhe politikës. Ky vit i ri do të duhet të futet në atë që quhet normaliteti i vet politik”, vijoi deputeti i PD-së. Pavarësisht, për mazhorancën opozita e ka rrugën e hapur për të plotësuar kërkesën e saj 1-vjeçare e gjysmë për ngritjen e komisionit hetimor, vetëm se këtë herë hetimi do të mbështetet në pjesën e mbetur nga procesi i 28 qershorit. Në fund të sesionit parlamentar që shkoi, mazhoranca me shumicë votash rrëzoi kërkesën e opozitës për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit si të pambështetura në Kushtetutë dhe në ligj. Ajo u shpreh e hapur për hetim, si një detyrim ligjor, por kushtet në të cilat duhet të ngrihet ky hetim duhet të ishin ligjore dhe kushtetuese.

Fund i konsensusit

Mungesa e kompromisit mes palëve për opozitën, ndryshe nga mazhoranca nuk u shënua me djegien e fletëve të votimit, por me djegien e mundësisë nga vetë mazhoranca për të pranuar ofertën e socialistëve për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Këto janë dy momente të lidhura me njëra-tjetrën, por, nëse për PD-në kompromisi mes palëve nuk ekziston më, pasi kriza u zgjidh më 7 janar, për opozitën ky kompromis u shua qysh më 27 dhjetor. Opozita paralajmëron se do të vijojë luftën e saj politike kundër mazhorancës, por në këtë prag zgjedhjesh duket se secila do ta mundësojë këtë luftë vetëm përmes përpjekjeve për ti fituar ato.

Për 72 orë, nga dhjetë mijë janë asgjësuar 1000 kuti votimi

Djegia e fletëve të votimit do të përfundojë brenda javës që vjen

Herion Mesi

Procesi i djegies së fletëve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 pritet të përfundojë brenda pak ditësh. Duke iu referuar punës së bërë nga KQZ-ja gjatë tri ditëve të para të hyrjes në fuqi të vendimit të marrë më 29 dhjetor të vitit të kaluar, për djegien e fletëve të votimit, kreu i institucionit më të lartë zgjedhor, Arben Ristani, bëri me dije se duke parë ritmet me të cilat po punohet nga grupi i punës së KQZ-së, përfundimi i procesit pritet të mbyllet brenda kësaj jave, pavarësisht se është parashikuar që të përfundojë asgjësimi i tyre më 9 mars. Sipas Ristanit, rreth një mijë kuti votimi, nga 10 mijë të tilla, janë boshatisur tashmë nga magazinat e Lundrës, të cilat janë transportuar më pas pranë bregut të lumit Erzen, ku është dhe vendi i caktuar për asgjësimin e këtyre fletëve. Procesi i djegies së fletëve të votimit ka filluar që në mesditën e së premtes së kaluar, ku u ngarkuan dy kamionë të Ministrisë së Mbrojtjes që të kryenin transportin e këtyre fletëve në vendin e njohur si Ura e Farkës, pranë lumit Erzen. Gjithashtu, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve theksoi se pavarësisht punës së deritanishme, procesi i djegies së fletëve të votimit do të vazhdojë siç është i përcaktuar edhe nga Kodi Zgjedhor, pa ndërprerje dhe me ritme të larta. Nga ana tjetër, në vendimin e 29 dhjetorit të marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, parashikohet që listat e votuesve së bashku me materialet zgjedhore do të depozitohen në Arkivin e Shtetit, ku në bazë të ligjit për 50 vjet ndalohet hapja e tyre, pasi informacionet që ato përmbajnë klasifikohen “sekret”.

Vlerësimi

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, duke iu referuar deklaratës së bërë një ditë më parë nga zëvendës/ndihmës Sekretari amerikan, Tomas Countryman, tha se ndihej mirë që ishte vlerësuar me nota pozitive nga Departamenti Amerikan i Shtetit ky vendim i KQZ-së për të djegur fletët e votimit të zgjedhjeve të kaluara elektorale të 28 qershorit të 2009-s.

Debati

Debati për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 mori fund të premten e kaluar, me nisjen e procesit të asgjësimit të fletëve të votimit që përmbajnë këto kuti. Zgjedhjet e kaluara opozita i ka konsideruar të manipuluara, duke bërë një seri protestash, madje dhe grevë urie, si dhe bojkot të Parlamentit për më shumë se një vit.

Vendimi i KQZ-së për të hapur kutitë dhe për të djegur fletët e votimit hapi edhe një debat të ashpër mes anëtarëve të KQZ-së, pasi tre anëtarët e propozuar nga opozita dhe Partia Socialiste ishin kundër këtij vendimi.

Kume: KQZ zbatoi ligjin

Pak ditë pas përcaktimit të fatit të zgjedhjeve të kaluara elektorale dhe nisjes së procesit të asgjësimit të fletëve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume, deklaroi dje se vendimmarrja e KQZ-së e 7 janarit është konform ligjit elektoral. Kume, i mandatuar nga Kuvendi dhe shoqëria civile për përmirësimin e Kodit Zgjedhor, tha dje se “tashmë, pas këtij vendimi, politika duhet të gjejë rrugën e bashkëpunimit për reformën zgjedhore.” Ndaj ai u bëri apel forcave politike, duke i kujtuar se janë të vonuara në ngritjen e administratës zgjedhore.

Apeli i LSI-së drejtuar PS-së

“Votoni ligjin për Gjykatën Administrative dhe atë zgjedhor”

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi dje bashkëpunimin e Partisë Socialiste për votimin e ligjit për Gjykatën Administrative dhe reformën zgjedhore. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Ardit Çela i kërkoi opozitës të ngrihet në nivelin e përgjegjësive të saj përballë qytetarëve dhe të japë kontributin e munguar. “Votimi dhe ngritja e Gjykatës Administrative është një nga hapat e parë që duhen ndërmarrë dhe për të cilat opozita duhet të ndërrojë mendje, pasi është një kërkesë e vetë biznesit, e vetë shoqërisë, por është njëkohësisht edhe një ndihmë e aleatëve tanë strategjikë, e cila nuk mund të refuzohet”, Çela. Ai vlerësoi si të domosdoshme nisjen nga puna për realizimin e reformës zgjedhore. “Fillimi i punës për reformën zgjedhore, si një kërkesë e PE-së, është një tjetër hap i cili duhet hedhur dhe për të cilin opozita duhet të japë konsensusin e saj, pasi në kundërshtim nga sjellja e vitit të kaluar, tashmë ka ardhur koha për tu treguar seriozë e të përgjegjshëm”, tha zëri zyrtar i LSI-së. Në këtë kontekst ai përmendi politikën bllokuese të opozitës për të vijuar reformat gjatë vitit që shkoi.

Reagimi i mazhorancës për çështjen “Dabulla”

PD: Lënia e lirë nga drejtësia shqiptare, skandaloze

Mazhoranca, përmes deputetit të PD-së Fatos Hoxha, ka sulmuar drejtësinë shqiptare për gjykime në favor të familjarëve të deputetëve të PS-së. Përmes një konference për shtyp, Hoxha ka ngritur disa pikëpyetje për qëndrimin që drejtësia shqiptare mbajti ndaj incidentit të fundit me pasojë plagosje, të djalit të deputetes së PS-së, Arta Dades. “Opinioni publik u bë dëshmitar i banditizmit dhe rrugaçërisë së brezit të ri të bllokmenëve. Emri i djalit të Arta Dades nuk është i panjohur për drejtësinë, siç nuk është i panjohur edhe për shqiptarët. Lënia e lirë e banditëve të këtij niveli është një skandal për drejtësinë shqiptare, është karshillëk ndaj ligjit, ndaj opinionit publik dhe mijëra shqiptarëve të ndershëm. Pse drejtësia privilegjon përsëri njerëzit e Bllokut? A do të ishte dënuar me burg çdo qytetar tjetër që mban armë pa leje dhe qëllon pa iu dridhur dora? A ka ardhur koha që instancat e drejtësisë përkatëse të reagojnë ndaj krimeve edhe të bllokmenëve të rinj?”, tha deputeti Hoxha në deklaratën e tij. Ai përmendi përfshirjen publike pak muaj më parë të djemve të deputetes me organizatën “Hakmarrje për drejtësi”. “Reagimi publik i banditëve të Dades ishte ky, citoj: Faleminderit mami, për lidhjet dhe miqësitë që na ke krijuar!”, përfundoi Hoxha.

Qëndrimi i PS-së

Balla: Do të bëjmë gjithçka për largimin e Berishës

“Partia Socialiste do të bëjë gjithçka për të larguar këtë pushtet të vjedhur, duke forcuar aksionin e saj opozitar, për të mos lejuar që një pushtet, që vetë provoi se është një pushtet i vjedhur, të mos vazhdojë të vjedhë shqiptarët, njësoj siç po bën sot, duke u shndërruar në modelin e korrupsionit dhe abuzimit”. Ky ishte qëndrimi më i fundit i ardhur nga Partia Socialiste, lidhur me hapat që do të ndjekë në vijim kjo forcë politike. Kështu, deputeti socialist Taulant Balla, duke iu referuar dhe deklaratës së zv/ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën, Tomas Kantrimen, risolli në kujtesë përpjekjet e kampit opozitar për të zgjidhur krizën e tejzgjatur politike. Por, sipas tij, asnjë nga zgjidhjet e ofruara prej PS-së nuk gjetën mbështetjen e mazhorancës qeverisëse. “Me të drejtë zoti Kantrimen kërkon që kriza politike në Shqipëri të zgjidhet përmes dialogut nga vetë klasa politike shqiptare dhe është pikërisht kjo çfarë Partia Socialiste është përpjekur të bëjë përgjatë plot një viti e gjysmë betejë për të siguruar të drejtën e votës dhe transparencën e procesit zgjedhor të 28 qershorit”, vlerësoi Balla. Njëkohësisht, duke qëndruar po në këtë linjë, deputeti socialist sqaroi më tej se “kemi ofruar zgjidhje pas zgjidhjesh, kompromise pas kompromisesh, të cilat kanë rënë në veshin e shurdhët dhe sytë e verbër të një pushteti, i cili duke refuzuar e mbajtur peng me çdo mënyrë transparencën dhe hetimin parlamentar, ka dhënë provën më të qartë të një manipulimi të madh të procesit të fundit zgjedhor. Manipulim, i cili smund, sduhet dhe ne nuk do të lejojmë të përsëritet më”. Në këtë mënyrë, sipas tij, edhe pse shumica në pushtet ka refuzuar ofertat e Partisë Socialiste për zgjidhjen e ngërçit, kjo e fundit është e vendosur për të vazhduar betejën. “Kompromisit të fundit të bërë nga opozita shqiptare për zgjidhjen e krizës përmes një hetimi parlamentar, identik me atë të kërkuar nga PE-ja në Rezolutën e datës 8 korrik 2010, Sali Berisha iu përgjigj me të vetmen mënyrë që ai njeh, gënjeshtrën dhe trillimin”, u shpreh Balla. Madje po në këtë linjë, ai shtoi se “në fillim tha se fletët e votimit nuk do ti digjte, por fletët e votimit u dogjën. Tha se ishte i gatshëm të votonte komisionin hetimor me shumicë të opozitës, por komisioni nuk u ngrit kurrë. Tha se listat zgjedhore do ti viheshin në dispozicion hetimit parlamentar e ndërkohë po tenton ti burgosë listat për 25 vjet, duke i klasifikuar si dokument sekret. Tashmë Sali Berisha e mbushi kupën”.

Opozita e Bashkuar

“Zgjedhjet e parakohshme zgjidhja për krizën”

“Opozita duhet të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme të 8 majit, të cilat duhet të synojnë që të shndërrohen në të njëjtën kohë edhe në zgjedhje të përgjithshme politike. Pra, ky është synimi, kjo është strategjia”. Kështu u shpreh dje kreu i Demokracisë Sociale, Paskal Milo. Sipas tij, në ditët në vijim Opozita e Bashkuar do të përqendrojë energjitë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Në këtë mënyrë, duke e parë të largët kompromisin me mazhorancën, aleatët Paskal Milo dhe Nard Ndoka, pjesë e Opozitës së Bashkuar, mendojnë se zgjedhjet e 8 majit duhet të shihen si mundësia e vetme për të larguar qeverinë e Berishës. “Opozita duhet që taktikisht të përforcojë luftën politike me forma dhe metoda të ndryshme që nga debati dhe kritikat e ashpra parlamentare, deri te protestat masive popullore”, u shpreh Milo. Ndërsa kreu demokristian Nard Ndoka vlerësoi se “duhen protesta të fuqishme, protesta që ta pengojnë realisht aventurën e mëtejshme të Kryeministrit dhe jo protesta të një natyre 1 orë ose 2 orë”.

“Tradita” e Kryeministrit

Zgjedhjet e 8 majit, Berisha në majën e Dajtit

Kryeministri Sali Berisha respekton traditën e vendosur prej vetë atij, atë të të ngjiturit në një majë në prag të çdo gare elektorale. Kështu, i shoqëruar nga anëtarët e familjes, ai ka kaluar këtë fundjavë në malin e Dajtit. Kreu i qeverisë është filmuar duke shëtitur me mbesën e tij më të madhe, por ndërkohë nuk ka ngurruar të lëshojë edhe mesazhe politike. Sipas tij, ngjitja në një majë, në prag të çdo fushate zgjedhore, ndjell fitore. “Erdha për tu uruar nga kjo majë edhe një herë të gjithë shqiptarëve: Gëzuar Vitin e Ri!. Deti më jep thellësi, majat frymëzim edhe fuqi. Më është bërë tashmë si rit që në prag të çdo fushate unë ngjitem në një majë, e kam si mbarësi, ndjell fitoren”, u shpreh Kryeministri Berisha. Vitin e kaluar, pikërisht më 26 shkurt, kreu i ekzekutivit është filmuar së bashku me dy mbesat e tij në malin e Dajtit, ndërsa verën 2009-s, pak kohë pas zgjedhjeve të 28 qershorit dhe në kulmin e debatit për rezultatin e këtyre zgjedhjeve, ai u pa të notonte në bregdetin jonian.

Zëdhënësi i Sesilia Malstrom thotë se do të përdoret sistem vëzhgimi

KE: Raporti i parë për liberalizimin në maj

Deri më tani nuk janë raportuar kërkesa për azil në vendet e “Shengenit”

Raporti i parë i vëzhgimit për këtë proces do të publikohet pas 5 muajsh, ose më saktësisht diku rreth muajit maj të këtij viti, kohë kur ka mbaruar dhe gjashtëmujori i parë i heqjes së regjimit të vizave për shqiptarët. Në një prononcim për mediat, zëdhënësi i komisioneres për Çështjet e Brendshme, Sesilia Malmstrom thotë se tashmë është ngritur mekanizmi i vëzhgimit dhe shifrat e para zyrtare do të bëhen të ditura në këtë raport. “Komisioni e ka vlerësuar në mënyrë të veçantë vendimin për heqjen e vizave nga Këshilli, sipas rekomandimit të tij, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të kenë të drejtë të lëvizin pa viza në vendet e BE-së. Është miratuar po ashtu një mekanizëm vëzhgimi dhe për këtë do të ketë një raport të parë pas 5 muajsh. Atëherë ne do të kemi në dorë tendencat dhe shifrat e para”, tha Michele Cercone.

Lidhur me ecurinë e procesit pas heqjes së vizave, Cercone thotë se ndërkombëtarët kanë besim te qeveria dhe qytetarët shqiptarë në zbatimin me korrektësi të rregullave të liberalizimit të vizave. “Siç e kemi thënë tashmë, ne kemi besim te qeveria dhe qytetarët shqiptarë. Është shumë e rëndësishme të përfitojmë nga kjo liri pa abuzuar me të. Dhe ne besojmë se punët do të shkojnë mirë”, tha Cercone.

Liberalizmi

Shqipëria dhe Bosnja përfituan nga procesi i heqjes se vizave më 15 dhjetor të vitit që lamë pas. Deri më tani, kur ka kaluar thuajse një muaj që nga hyrja në fuqi e këtij procesi, nuk është raportuar asnjë shtetas shqiptar që të ketë bërë kërkesë për azil në vendet e BE-së, siç ndodhi rëndom me qytetarët e Maqedonisë, Serbisë apo gjetkë. Nga ana e saj, Shqipëria është vlerësuar për fushatën sensibilizuese që ka bërë në këtë drejtim. Fushata u intensifikua në muajt e fundit para liberalizimit, por që ka filluar që prej gati një viti më parë. Duhet thënë se qytetarët shqiptarë kanë qenë dhe më korrektët për sa i përket dokumentacionit që duhet të kenë me vete, pavarësisht se nga autoritetet e pikave të kalimit të kufirit ai kërkohet vetëm në raste të veçanta. Nga statistikat e deritanishme ka rezultuar se shumica e atyre që kanë dalë për festat e fundvitit, kryesisht në Greqi dhe Itali, janë kthyer sërish në Shqipëri. Nga ana tjetër, u forcuan dhe masat për agjencitë, të cilat mund të abuzonin me liberalizimin e vizave. Kjo, sepse në shumicën e rasteve ishin këto agjenci në Maqedoni dhe Serbi, të cilat përhapnin propagandën, sipas së cilës vendet e “Shengenit” janë gati të pranojnë azilantë nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Letra për Maqedoninë

Komisionerja evropiane për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom i ka dërguar një letër qeverisë në Shkup, në tetor të vitit të kaluar, duke sugjeruar se mund të rivendosen vizat, pas rritjes së numrit të azilkërkuesve nga Maqedonia në BE. Zyrtarët në Shkup kanë paralajmëruar se do të japin më shumë detaje se çfarë masash do të marrin që të pengojnë valën në rritje të azilkërkuesve nga Maqedonia.

Thirrja për Shqipërinë

Gjatë vizitës së saj në Tiranë, komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom tha se Shqipëria duhet të bëjë të pamundurën që ti përmbahet kontratës me BE-në, që të mos shpërdorohet besimi i dhënë. “Ju lutem, mos na zhgënjeni!” - tha Malmstrom. Ajo theksoi se kjo është një mundësi e shkëlqyer për qytetarët, bashkë me këtë vijnë përgjegjësitë.

Azilkërkuesit

Vetëm në Belgjikë, gjatë muajit shkurt të vitit të kaluar, kur nuk ishin mbushur as 3 muaj nga liberalizimi i vizave, rezultonte se kishin kërkuar azil rreth 400 shtetas maqedonas. Kompanitë e udhëtimeve, të akuzuara se po e favorizojnë ato këtë largim, thonë se nuk kanë faj, pasi shumica e njerëzve deklaron se do të udhëtojnë te familjarët e tyre jashtë vendit ose për qëllime turistike, pastaj vendosin të qëndrojnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›