Italia si Juventusi

Mesfushori Andrea Pirlo ka krahasuar Kombëtaren italiane me skuadrën e tij, Juventusin. Njëri prej futbollistëve kryesorë të Azzurrëve është shprehur optimist para Kampionatit evropian 2012 dhe beson se ata i takojnë grupit të favoritëve për të triumfuar në garën e sivjetme në Poloni dhe Ukrainë.
“Kjo skuadër më ngjan në Juventusin tim”, deklaroi Pirlo për Corriere dello Sport. Bianconerët fituan titullin e kampionit në Serie A, pa pësuar asnjë humbje.
“Italia është në radhën e parë. Kemi kualitetin e nevojshëm për të shkuar deri në fund”, shtoi ai. Pirlo u kthye prapa dhe komentoi largimin e tij nga Milani, duke u transferuar te rivali nga Serie A, Juventus, gjatë verës së vitit të kaluar. “Milan mendonte se kam marrë fund, kurse unë jam ende këtu”, u shpreh ai.
Sa i përket të ardhmes së tij me Italinë, Pirlo është në dyshim rreth përfshirjes së tij në Botërorin 2014. “Nuk e di nëse do të vazhdoj me Italinë deri në Botërorin 2014, duhet të shohim nëse jam ende i dobishëm”, përfundoi ai.