E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehen kah Kremlini

Tomislav Nikolic duket se nuk e ka ndërmend të ndryshojë qasjen që ka ndjekur Beogradi në raport me Kosovën dhe Bashkimin Europian. Gjatë një takimi me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin në Moskë, Nikolic tha se nëse BE’ja kushtëzon Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës, bisedimet me Unionin do të ndërpriten.

Tomislav Nikolic duket se ka vendosur t’u përgjigjet pa u vonuar shumë Washingtonit dhe Brukselit për kursin politik që do ta ndjekë në krye të shtetit serb.

Ultranacionalisti Nikolic, i cili mundi javën e kaluar rivalin e tij Boris Tadic, që shihej si i moderuar në Perëndim, ende pa u inauguruar në postin e ri, në fakt po dërgon sinjale për një qasje komplekse.

Ai tashmë u ka premtuar zyrtarëve të Bashkimit Europian se vizitën e parë zyrtare do ta bëjë në Bruksel, por para se të inaugurohet, Nikolic zgjodhi për të shkuar në Rusi, ku mori përkrahjen e Presidentit Vladimir Putin për politikën që do të ndjekë.

Gjatë takimit Nikolic –Putin, është thënë se bashkëpunimi mes dy vendeve po zhvillohet në mënyrë progresive.

Aty Nikolic ka siguruar Presidentin rus se “Serbia është partnere e Rusisë në Ballkan”, derisa nuk kanë munguar as komplimentet se si Putin është i adhuruar në Serbi.

Putin ndërkaq, duke qenë në dijeni për premtimin që Nikolic ia ka bërë Brukselit për vizitën, e ka ftuar Nikolicin që kur të inaugurohet në postin e Presidentit, të vizitojë Rusinë, duke thënë se një gjë të tillë mund ta bëjë kur të dojë.

Presidenti i sapozgjedhur serb ka përmendur edhe Bashkimin Europian me këtë rast, duke thënë se vendi i tij është duke shkuar drejt Unionit, por sipas tij, kjo është një rrugë e gjatë dhe e paqartë.

“Ne do ta rregullojmë vendin tonë sipas rregullave që ekzistojnë në BE”, ka thënë ai.

Në Rusi, Nikolic është zotuar edhe për neutralitetin ushtarak të Serbisë, duke thënë se për këtë ekziston edhe rezolutë në Kuvendin e Serbisë.

Me këtë rast, ai ka folur edhe për Kosovën, duke thënë se nuk ka dëgjuar që dikush ka kushtëzuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Ne këtë nuk mund ta bëjmë, edhe nëse në atë moment do t’i ndërpresim bisedimet (me BE’në)”, ka thënë Nikolic.

Nikolic ka falënderuar Putinin që ka përkrahur Serbinë në arenën ndërkombëtare, veçmas për siç ka thënë ai, mbetjen e Kosovës në kuadër të Serbisë.

Derisa Nikolic po qëndron në Moskë me rastin e kongresit të partisë Rusia e Bashkuar, një vizitë tjetër në Beograd e diplomatit Miroslav Lajcak, gjatë javës, ka lënë shije të hidhur.

Sipas mediave serbe, të cilat janë thirrur në burime brenda Presidencës serbe, drejtori menaxhues në Shërbimin Evropian të Veprimit me Jashtë, Miroslav Lajcak, gjatë takimit me Nikolicin, përveç përshëndetjeve dhe kërkesës për të formuar sa më shpejt Qeverinë, autoriteteve serbe në Beograd ua ka sjellë edhe “pakon” në të cilën përshkruhet gjithçka që pret Bashkimi Europian nga Kryeministri dhe Presidenti i Serbisë.

“Kushtet për vazhdimin e dialogut me Brukselin përfshijnë edhe disa veprime të rënda që duhet marrë, e të cilat kanë të bëjnë me Kosovën”, ka cituar gazeta “Vecernje Novosti” burimet nga Presidenca e Serbisë. “Edhe pse ‘pakoja’ e diplomatit sllovak po mbahet fshehtë, sikur të ishte një dokument sekret, sipas burimeve tona, bëhet fjalë për kërkesa të mëdha të Bashkimit Europian, e të cilat nuk do të jenë të pranueshme për cilëndo qeveri që do të formohet së shpejti në Serbi”, ka shkruar “Novosti”.

Megjithëkëtë, sipas gazetës, kjo pako e diplomatit sllovak, Lajcak, do t’i vendoset në tavolinë secilit grup parlamentar, për t’ua bërë të qartë se rruga e Serbisë drejtë Bashkimit Europian nuk do të jetë edhe aq e lehtë. E derisa në Serbi akoma nuk kanë përfunduar negociatat për krijimin e Qeverisë, zyrtarë ndërkombëtarë në Bruksel dhe Washington thonë se po presin se cila do të jetë politika që do të udhëheqë Nikolic.

Sido që të jetë, zyrtarë të Qeverisë në largim në Serbi thonë se Beogradi nuk do ta ndryshojë qasjen “Edhe Kosova, edhe BE’ja” pasi një gjë e tillë është treguar e suksesshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›