E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, grabitje me maska 20 metra larg komisariatit

Rikthehen grabitjet me maska në mes të Tiranës. Ngjarja e rëndë nuk ka ndodhur as në ndonjë zonë periferike, as në ndonjë rrugicë qorre, por vetëm 20 metra larg Komisariatit të Policisë. I armatosur dhe me kapuç në kokë, një person i vetëm ka hyrë në një sallë lojërash dhe duke i kërcënuar të pranishmit ka marrë sasinë e parave që ndodhej aty, për t‘u larguar pa pasur asnjë shqetësim. Kjo ka tronditur, jo vetëm punonjësit e vendit të grabitur, por edhe policinë, e cila, duke qenë aq pranë nuk ka mundur t‘u vijë në ndihmë. Burimet policore bënë të ditur se ngjarja është regjistruar tri net më parë, në afërsi të zonës së "21 Dhjetorit". Rreth orës 04:00 të së hënës, një person i maskuar ka hyrë në një sallë lojërash elektronike, duke kërcënuar personelin. Ai ka marrë personat e pranishëm dhe i ka kyçur në tualetin e sallës së lojërave të fatit. Më pas, ka shkuar te kaska e parave, duke bërë të mundur vjedhjen e një shume prej 400 mijë lekësh. Pas kryerjes së vjedhjes, ai është larguar qetësisht nga vendi i ngjarjes. Në këtë kohë, punonjësit e vendit të vjedhur kanë vënë re që ai ishte larguar dhe menjëherë kanë njoftuar shërbimet e policisë. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, salla e lojërave elektronike ndodhej rreth 20 metra larg Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë. Policia, e njoftuar për këtë ngjarje, ka mbërritur brenda pak çastesh në vendin e ngjarjes dhe ka marrë në pyetje dëshmitarët në lidhje me të dyshuarin e kësaj vjedhjeje. Ata kanë treguar se ai ishte me maskë. Me të marrë të dhënat e para, uniformat blu kanë rrethuar zonën, duke kryer edhe krehjen e saj, por nuk kanë mundur të bien në gjurmët e grabitësit. Policia shpjegoi se stafi i objektit të vjedhur ka deklaruar para grupit hetimor se ishte keqtrajtuar nga grabitësi, i cili dyshohet se e njihte mjaft mirë objektin që kishte vendosur për ta sulmuar. Sipas policisë, ai ka lënë shumë pak gjurmë në vendin e ngjarjes dhe identifikimi i tij është tejet i vështirë, për shkak se salla e lojërave frekuentohej nga shumë njerëz. Nga ana tjetër, policia ka pyetur nëse salla ishte e pajisur me kamera sigurie, por ka marrë përgjigje negative. Sipas dyshimeve të grupit hetimor, hajduti mund të jetë një frekuentues i këtij vendi, pasi njihte çdo detaj të sallës. Policia shpjegoi se pasi ai ka studiuar vendin, ka operuar me qetësi të plotë dhe mund të jetë banor i zonës. Megjithatë, policia nuk ka gjetur një emër konkret për këtë ngjarje, e cila mund të sjellë tronditje të sigurisë publike. Prej kohësh nuk ishin regjistruar ngjarje të tilla në Tiranë. Megjithatë, policia tha se po punon për identifikimin dhe kapjen e këtij personi. Gjatë dy ditëve, uniformat blu kanë shoqëruar disa persona, por ende nuk ka një emër konkret si të dyshuar kryesor të grabitjes me maska.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›