Italia, sot dhe nesër, zgjedhje të përgjithshme

Italianët i drejtohen sot dhe nesër kutive të votimit për të zgjedhur kryeministrin dhe qeverinë që do i drejtojë 4 vitet e ardhshme. Partitë politike në Itali mbajtën mbrëmë tubimet e fundit elektorale përpara zgjedhjeve të sotme parlamentare. Komediani Beppe Grillo mbajti fjalimin më të ashpër kundër partive tradicionale, ndërsa ish- kryeministri Silvio Berluskoni vendosi të mos marrë pjesë në mitingun në Napoli për shkak të disa probleme me shikimin.
Drejt kutive te votimit te dielën do te shkojne rreth 50 milionë qytetare, se bashku me rezidentet e huaj në Itali. Në mbarë vendin, për 48 orë me radhë do të jenë në gatishmëri mbi 61 mije police. Kandidati më i vjeter që garon në zgjedhjet e përgjithshme është 94 vjeç, ndërsa me i riu 25 vjeç.
Në prag të zgjedhjeve për përcaktimin e Qeverisë dhe të Parlamentit të ri, italianët që u gëzuan kur Silvio Berlusconi e lëshoi detyrën 15 muaj më parë, tani janë më se të vetëdijshëm rreth rëndësisë së një vote për të ardhmen e shtetit të tyre.
Mirëpo, në vend që të flasin me optimizëm për zgjedhjet, shumë votues dalin para kutive të votimit të painspiruar dhe të shqetësuar se, në vend që të ofrojnë një pikë kthese, zgjedhjet do të çojnë drejt qorrsokakut.
“Jemi të shqetësuar se do të ketë ndryshim të madh (politikisht), por kjo faktikisht nuk do të ndryshojë gjë”, ka thënë Eleonora, një tjetër studente e anglishtes. Me zgjedhjet që nisin të dielën, edhe ajo, sikurse përafërsisht 5 milionë njerëz të tjerë - 10 për qind e elektoratit – ende nuk e ka ndarë mendjen se për kë të votojë. “Nuk e di”, tha ajo. “Gjithnjë kam votuar për të majtën, por kësaj radhe jam vërtet në dyshime”.
Sipas anketave më të fundit, Partia Demokratike (PD) e qendrës së majtë, e udhëhequr nga Pier Luigi Bersani, ka më së shumti gjasa – por jo gjithsesi – që të mbledhë më së shumti vota dhe ta drejtojë Qeverinë e re, mbase i mbështetur nga Monti. Mirëpo, shumica e saj do të varet si nga suksesi i rikthimit të tentuar të Berlusconit dhe nga rezultatet e lëvizjes me Pesë Yje (M5S), të ish-komedianit Beppe Grillo. Edhe pse e mbështesin, shumica nuk e dinë se cili është synimi i Grillos dhe si mund të duket ndryshimi i tij. “Mendoj se do të sjellë pak ajër të freskët e kjo mund të jetë gjë e mirë. Por mendoj po ashtu se ai është paksa demagog, prandaj dhe jam i shqetësuar”, theksoi Alberto Milone, një inxhinier 29-vjeçar softuerësh në Lecce. E ai i druhet edhe një përbërjeje shumëpartiake të Parlamentit të ardhshëm të shtetit. “Një problem i madh për mua është edhe natyra e ndarë e Parlamentit. Kemi nevojë për një shumicë të fortë”, thotë ai.
“Është natyrisht e mundur të qeveriset (në Itali) me një shumicë të madhe, por është e pamundur me një të vogël dhe gjithnjë e më e vështirë se sa në Britani, Francë apo Gjermani”, thotë ndërkaq Giovanni, një inxhinier civil po ashtu i pranishëm e klasës së anglishtes që do të votojë për PD-në. Ai është i tmerruar nga rikthimi i mundshëm i Berlusconit.
Edhe pse Italia ka historikisht një përqindje të lartë të të dalëve në votimeve, numri i njerëzve që nuk do të dalin sivjet shfaqet si i lartë.
Maurizio Melito, një 32 vjeçar nga Lecce, është definicioni i qytetarit të angazhuar. Është një punëtor i ri, koordinator i një qendre kulturore, mësues dhe fle 10 net në vit në një qendër rehabilitimi për të varurit nga droga dhe alkooli. Ai flet me elokuencë rreth politikanëve si “mafie e arsimuar” dhe thotë se ata janë problem, e jo zgjidhje për Italinë.
“Nuk do të votoj”, thotë ai. “Ky nuk është votim që do të ndryshojë situatën... për mua kësaj radhe është votim turpi. Do të doja vërtet të kisha për kë të votoja”./Indeksonline/