E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia vuan, De Rosi e shpëton përballë Paraguait

Barazimi Kampionët e botës në fuqi marrin vetëm një pikë dhe humbasin Bufon

Italia debuton në Afrikën e Jugut me një barazim: skuadra e drejtuar nga Marçelo Lipi nuk shkoi më shumë se rezultati 1-1 përballë Paraguait. Nën një shi të dendur, “axurrët” vuajtën gjatë pjesës së parë me amerikanojugorët. Minutat e para të takimit kanë folur më shumë për kampionët e botës në fuqi, të cilët luanin me ritëm të lartë dhe ushtronin presing të vazhdueshëm në çdo pjesë të fushës. De Rosi shfaqet si një lider, Montolivo sakrifikohet në çdo top, megjithatë italianët nuk kanë arritur të krijojnë asnjë rast të mirë për shënim. Paraguai paraqitej i rreshtuar mjaft mirë në mbrojtje dhe në të vetmen pasiguri (atë të Veras), Montolivo shpërdoron duke gjuajtur dobët. Skuadra e Martinos reagon me Torres, i cili devijon keq, ndërsa ritmi i lojës bie në mënyrë të dukshme me rritjen e reshjeve të shiut. Pikërisht kur dukej se skuadrat po shkonin në pushimin mes pjesëve në barazim, vjen edhe goli i Alkaraz: në të 39-ën, mbrojtësi i vjedh kohën Kanavaros dhe me kokë përshëndet rrjetën. Fraksioni i dytë i lojës nis me zëvendësimin e Bufon, i cili ka pasur probleme muskulore. Italia duket më aktive dhe kërkon golin, por është Paraguai që ka shansin më të mirë me Veran. Lipi ndryshon taktikë, aktivizimi i Kamoranezit i jep gjallëri lojës, por barazimi vjen nga goditje standarde. Në të 63-ën, De Rosi dërgon në rrjetë një goditje këndi të Pepes, duke përfituar nga gabimi i portierit Vijar. Takimi përfundon me shifrat 1-1, ndërsa Italia kthehet në fushë të dielën, më datë 20, përballë Zelandës së Re.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›