Surpriza Japoni, thyhet Kameruni
Kameruni ka bërë një hap fals në ndeshjen e parë të Kupës së Botës. “Luanët” u mposhtën nga Japonia, e cila mposhti të gjitha parashikimet në Grupin E. Ndeshja e zhvilluar në “Bloemfontein” nuk ka qenë aspak e bukur, mbi të gjitha në 45 minutat e para. Për t’u vlerësuar ka qenë rreshtimi taktik i aziatikëve, të cilët nuk kanë lënë asnjë hapësirë për kundërshtarët afrikanë. Kamerunasit janë konfuzë në vendosjen në fushë dhe nuk arrijnë të prodhojnë lojë dhe kjo bën që takimi të jetë i bllokuar dhe pa emocione. Drithërimat e vetme i dhuron portieri Kauashima, me dy dalje spektakolare. Duhej të vinte minuta e 39 për të parë gjuajtjen e parë të vërtetë drejt portës: Ejong gjuan, ndërsa “gardiani” japonez nuk e ka të vështirë të zotërojë topin. Pak sekonda më pas loja spostohet në krahun e kundërt: Matsui harkon nga e djathta, mbrojtja e Kamerunit kujdeset vetëm për Okubo dhe “harron” Hondan në shtyllën e tyre. Lojtari i CSKA-së së Moskës kontrollon topin dhe më pas e dërgon në rrjetë. Në pjesën e dytë të lojës, skuadra e Le Gen shfaqet pa ide, ndërsa japonezët mund të kishin dyfishuar shifrat me Hasebe. Ndeshja mbyllet me tentativat e dëshpëruara të kamerunasve për të marrë të paktën një pikë, por në të 85-n edhe fati ishte kundër tyre: goditja e Mbia përplaset në traversë.
#