E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvrasje daneze, Holanda merr tri pikët pa shkëlqyer

Holanda luan vetëm 30 minuta me stilin e saj të vërtetë

Afrika e Jugut po konfirmohet si aktiviteti i çudirave. Mjafton të kujtosh se Gjermania dhuron spektakël në fushë, ndërsa Holanda fiton pa shkëlqyer. “Portokallinjtë” kanë debutuar në Botërorin e Afrikës së Jugut me triumfin 2-0 përballë Danimarkës. Tri pikë që në një farë mënyre kanë ardhur edhe falë harakirit të skandinavëve. Loja e skuadrës së drejtuar nga Van Marvijk nuk lë përshtypje të veçantë, por holandezët evitojnë surpriza të pakëndshme dhe marrin rezultat pozitiv. Me mposhtjen e danezëve, edhe pa lojë të bukur, ata duket se janë shndërruar në skuadrën që dominon Grupin E.

Në mënyrë të papritur, pjesa e parë e lojës në stadiumin “Soccer City” të Johanesburgut është e mërzitshme: pritej që Holanda të hidhej në sulm të fortesës daneze, por ishin të besuarit e Morten Olsen ata që u paraqitën më mirë deri në pushimin 15-minutësh. Kjo, edhe falë taktikës që u lejonte pak hapësira kundërshtarëve dhe punës së jashtëzakonshme të mesfushorëve. Edhe pse nuk janë “artistë” në fushën e lojës, lojtarët e këtij reparti arritën t’ia vështirësonin Holandës ndërtimin e aksioneve sulmuese. “Tulipanët” vuanin prej mungesës së vertikalizimeve nga Van Bomel dhe De Jong dhe “kurthit” të ngritur për Shnajder. Me Arjen Roben që ka qëndruar vetëm në stol, Kuijt dhe Van der Vart kanë harkuar pak nga krahët. Rastet më të rrezikshme në pjesën e parë i kishte Danimarka: një devijim me kokë i Bendtner dhe një goditje qendrore e Kahlenberg kanë shqetësuar portierin Stekelenburg, ndërsa në anën tjetër tentativa e lehtë e Kuijt neutralizohet nga Sorensen. Momentet më të mira të skuadrës “oranje” kanë ardhur nga karambolimet e topit: Heitinga me shpatull shkon pranë golit, ndërsa në fundin e 45 minutave ishte Van Persi që tentoi me të djathtën.
Edhe më i rastësishëm ishte episodi që zhbllokon ndeshjen. Me fillimin e fraksionit të dytë të ndeshjes, Danimarka bën një gabim të pafalshëm: Simon Poulsen largon keq me kokë një harkim të Van Persit, sfera përplaset në shpinën e Ager dhe nxjerr jashtë loje portierin Sorensen. Pas episodit fatlum që solli avantazhin, Holanda mund të kishte mbyllur virtualisht ndeshjen, por Van Persi shpërdoron i vetëm përballë “gardianit” kundërshtar. Nëse holandezët kishin shfaqur probleme kur rezultati ishte ende në barazim, skuadra e Olsen tregon se kaq i kishte mundësitë kur duhej të reagonte për të shënuar. Danimarka tregoi se nuk i zotëronte kualitetet për të mbyllur Holandën në gjysmëfushën e saj: të detyruar për të rritur ritmin e lojës, ata lejojnë shumë hapësira në mbrojtje dhe ia lehtësojnë punën skuadrës së Van Marvijk. Holanda del në lojën e saj tradicionale vetëm në 25 minutat e fundit të takimit: Shnajder përfiton nga hapësirat dhe më parë gjuan traversën, ndërsa më pas krijon një mundësi të shkëlqyer për Elian, sulmuesin e talentuar të Hamburgut. Goli i dytë erdhi në minutën e 85: nuk shënon Elia, gjuajtja e të cilit devijohet në shtyllë nga Sorensen, por Kuijt i cili ndoqi aksionin dhe e dërgon topin në rrjetë. Me rezultatin 2-0, Holanda mposht atë që cilësohej si kundërshtarja direkte në grup. Ndërkohë, Danimarka do të kërkojë kualifikimin në dy ndeshjet e mbetura përballë Japonisë dhe Kamerunit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›