Ekstradohen dy të kërkuar për vrasje e trafik femrash

Dritan Domi është dënuar me 11 vite burg për shfrytëzimin e një femre në Itali, ndërsa Kristian Kola është në proces gjykimi
TIRANE- dy persona të kërkuar nga autoritetet shqiptare të drejtësisë për krimet shfrytëzimit të femrave për qëllime prostitucioni si dhe për akuzën e vrasjes me paramendim, u ekstraduan dje nga Zyra e Interpol Tiranës në bashkëpunim me zyrat përkatëse të Interpolit në Bruksel të Belgjikë dhe Wiesbaden të Gjermanisë.
Ekstradimet u bënë të ditura dje nga Policia e Shtetit në një njoftim zyrtar të saj, ku pohohej se dy personat ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Policia Shqiptare. Sipas policisë, dje në orën 15:30 Zyra Qendrore Kombëtare e Interpol Tirana, kreu ekstradimi nga Frankfurti i Gjermani, të Dritan Domit, 35 vjeç, nga Maminasi i Durrësit.
Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Durrësit, me vendim 14 majit të vitit 2004, e ka dënuar me 11 vjet burg, për veprën penale të "Shfrytëzimit të femrave për qëllime prostitucioni". I ekstraduari Domi, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, ka mashtruar shtetasen A.D, me qëllim dërgimin në Itali dhe shfrytëzimin e saj si prostitutë.
Fillimisht asaj i është pohuar se do të martohen në Itali, por kur ka mbërritur në këtë vend ajo është detyruar të ushtrojë prostitucion. Pas denoncimit të të dëmtuarës, policia nisi hetimet dhe në vitin 2004, ai u dënua me 11 vite burg, duke u shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Domi, kishte mundur të largohej në drejtim të Gjermanisë, ku edhe u arrestua me qëllim ekstradimin e tij në drejtim të Shqipërisë. Ndërkaq ekstradimi i dytë i kryer është ai i Kristjan (Marjan) Kolës, nga Lezha me banim në Durrës. Ai ka qenë i shpalluir në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Kurbinit, me 1 shkurt të vitit 2005, ndaj tij ka caktuar masën e sigurisë "arrest në burg", për akuzën e "vrasjes me paramendim" dhe "armëmbajtjes pa leje".
Kola akuzohet se me datë 23 nëntor të vitit 2004 në Shullaz të Kurbinit, për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri Sandër Nokajn, i cili më pas ka vdekur në spital. Kristjan Kola u arrestua nga autoritetet belge me 17 mars të vitit 2010, me qëllim ekstradimin e tij drejt vendit tonë. Dje të dy të ekstraduarit, i janë dorëzuar Drejtorisë së Përgjitshme të Burgjeve në aeroportin e Rinasit.