Italishtja, gjuha e tretë në Shqipëri
Mirë gjuha numër një sot në botë, anglishtja, e sapodiskutuara me shumë polemika, kinezçja apo frëngjishtja legjendare në sistemin tonë arsimor e të tjera me radhë, po italishtja, gjuha e huaj më popullore në Shqipëri, në çgjendje ndodhet? Gjuha e fqinjve tanë, e përkapur brez pas brezi, por edhe vetëm nga televizori në vitet e izolimit komunist, gjuha e mbi dyqind mijë emigrantëve shqiptarë apo e dymbëdhjetë mijë studentëve shqiptarë në Itali, sa po mësohet e pëlqehet sot, çvend po zë e do të zërë sidomos në sistemin publik arsimor e jo vetëm aty?
I vetmi matës ekzistues, por jo i vetmi për të dëshmuar realitetin më të gjerë, është hë për hë sistemi arsimor.
Dhe në sistemin aktual është gjuha e dytë më e mësuar në vend, e përzgjedhur nga vetë nxënësit në bazë të kurrikulës. Dhe zë vendin e parë ndër gjuhët e dyta me 45%, ndërsa në raport me gjuhët e para si anglishtja dhe frëngjishtja kjo konvertohet diku tek 5%. Ndryshe e treta pas këtyre dy gjuhëve kryesore zyrtare të BE-së. Por në sistemin tonë arsimor, sipas ligjit që sapo kaloi në qeveri për gjuhët e huaja në sistemin parauniversitar, nxënësit tanë duhet të dalin me dy gjuhë të huaja dhe një nga këto do të jetë italishtja, si gjuha më e afërt rajonale për ne, përpos rimarrjes edhe të spanjishtes apo kinezçes si gjuhë të dyta edhe këto, shpjegon Tatjana Vuçani, specialiste në Drejtorinë e Arsimit Parauniversitar në MASH.
Sipas saj, afro 82% e nxënësve shqiptarë mësojnë sot anglisht dhe pretendohen si potencial i ardhshëm anglishtfolës dhe 13% mësojnë dhe flasin frëngjisht. Shifra që bëjnë të hamendësojmë një të ardhme më anglofone se sa frankofone apo italofone të shqiptarëve, përveç edhe prurjeve nga kurset gjuhësore jashtë sistemit arsimor, të pamatshme.
Memorandumet italo-shqiptare
Pas memorandumeve të 2006-ës apo 2011-ës midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, në kuadër të plurilinguizmit, që propagandon me forcë Këshilli i Europës, u kërkua edhe një shtrirje më e gjerë e gjuhës italiane në vend. Tashmë gjendet në sistemin parauniversitar dhe mësohet nga klasa e 3 fillore deri në të 12-ën, në gjimnaze dhe arsim profesional. Por vetëm në 62 shkolla shqiptare të 19 qarqeve si Krujë, Fier, Elbasan, Lushnjë, Mat, Malësi e Madhe, Shkodër, Pogradec, Kavajë, Durrës, Kolonjë, Laç, Lezhë, e pa dyshim edhe në Tiranë, Korçë, Vlorë dhe Shkodër. Më tepër në shkolla 9-vjeçare (24 shkolla) dhe më pak në të mesme (38 shkolla), shpjegojnë të njëjtat shifra për Shekullin si specialistja në MASH për arsimin parauniversitar, Tatjana Vuçani, e si drejtori i Arsimit në Ambasadën Italiane në Shqipëri, Vito Stigliani.
Përkujdesje këto që mund ta çojnë këtë gjuhë në një të ardhme të afërt deri tek 10%, siç edhe pretendohet hë për hë.
Por ka raste kur drejtorë shkollash nuk e zbatojnë marrëveshjen, nuk zbatojnë as udhëzimet e MASH, japin shfajësimet e tyre, pasi parapëlqejnë gjuhën angleze. Ne nuk jemi kundër anglishtes apo çdo gjuhe tjetër. Por ka një marrëveshje dhe Këshilli i Europës kërkon plurilinguizëm. E meqë shqiptarët njihen për dashurinë që kanë për Italinë, kanë prirje për të vazhduar studimet e larta në Itali, gjuha bëhet urë lidhëse në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe dy kulturave të lashta, për të punuar edhe në një kontekst europian, shpjegon Vito Stigliani.
Tradita arsimore apo tradita popullore?
Nëse shqiptarët e kanë më të lehtë që rëndom të kuptojnë fare mirë e ti kthejnë përgjigje një turisti italian se sa një francezi, sistemi arsimor ndjek tjetër logjikë në mësimin e gjuhëve, pavarësisht popullaritet real që mund të kenë gjuhët. Më shumë mësohet frëngjishtja, meqë është gjuha e dytë zyrtare e BE-së dhe meqë ka historinë më të gjatë në sistemin arsimor shqiptar, që nga 1945, duke u bërë gjuha e parë e huaj pas Luftës së Dytë Botërore. E pasuar atë epokë nga rusishtja. Anglishtja në sistemin tonë arsimor ka hyrë diku nga 78. Ndërsa italishtja ka si fillesë vitin 1991, kur u eksperimentua për herë të parë në gjimnazin Çajupi në Tiranë dhe u përhap dalëngadalë në gjithë Shqipërinë. Politika arsimore e MASH mbështetet në orientimet dhe strategjitë e KiE për respektimin e shumëgjuhësisë dhe shumëkulturësisë. Kjo është pasqyruar në strategjitë dhe dokumentet zyrtare të MASH. Dokumenti i dytë më i rëndësishëm është ligji për sistemin shkollor parauniversitar që përcakton se nxënësit tanë duhet të mbarojnë me dy gjuhë të huaja, pa përcaktuar se cila do të jetë detyrimisht, por njëra duhet të jetë detyrimisht gjuhë e Këshillit të Europës., shpjegon sërish Tatjana Vuçani. Por a do të pasqyrohen edhe në shoqëri ato raporte dhe tendenca gjuhësore që zhvillohen nëpër shkolla?…
Seksionet dygjuhëshe italo-shqiptare
Seksionet dygjuhëshe shqiptaro-italiane janë çelur në vitin 1999 mbi bazën e një marrëveshjeje dypalëshe, të nënshkruar nga Ministria e Jashtme e Republikës së Italisë dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Shqipërisë. Qytetet dhe shkollat që aplikojnë këto seksione numërohen me gishtat e dorës. Në Tiranë janë shkolla 9-vjeçare Pjetër Budi, Shkolla e Kuqe, gjimnazi Ismail Qemali. Në Korçë shkolla 9-vjeçare Shkolla e re, Sevasti Qiriazi, gjimnazi Themistokli Gërmeni. Në Shkodër shkolla 9-vjeçare Ndre Mjeda, Ismail Qemali, gjimnazi 28 Nëntori.
Në këto seksione gjysmat e lëndëve humaniste dhe shkencore bëhen në italisht dhe gjysmat në shqip, prej alternimit të dy mësuesve; një italian dhe një shqiptar, por që njeh gjuhën dhe kulturën italiane. Diploma e pjekurisë bashkë me Deklaratën e Vlefshmërisë italiane lejon regjistrimin jo vetëm në universitete shqiptare, por edhe ato italiane pa nevojën e certifikimit të gjuhës.
Programi Iliria
Për mësimin e gjuhës dhe kulturës italiane në sistemin publik shqiptar. Sipas projektit Iliria punojnë pjesa më e madhe e shkollave në 19 qarqet e vendit. Ky projekt do të thotë: prani e gjuhës italiane thjesht si një lëndë, e jo në sistem dygjuhësh për disa lëndë.
Rosanna Marotti, mësuese, 60 vjeç
Sistemi shqiptar, më i centralizuar
Jap mësim prej pesë vjetësh nëpër shkolla të ndryshme dygjuhëshe (bilingue) në Tiranë. Kam raporte shumë të mira me nxënësit. Ata janë shumë të motivuar, veçanërisht të përgatitur dhe të interesuar. Kjo tregon dëshirën e tyre për promocion social. Por janë edhe nxënës të zgjedhur, me mesatare mbi notën 7.
Edhe sjellja e tyre disiplinore është shumë e edukuar, madje, për hir të së vërtetës, edhe më të edukuar se bashkëmoshatarët e tyre në Itali. Edhe nga pikpamja afektive janë shumë të ndjeshëm, të afrueshëm, të ngrohtë. Kam një përvojë pozitive.
Si probleme do të përmendja sistemin e vlerësimit të shkollës shqiptare në ndryshim nga ajo italiane. Shkolla italiane është më shumë formative se sa deformative. Tek ne, në vlerësim futen edhe kritere të tjera, jo vetëm pikët dhe notat. Siç mund të jetë vlerësimi i maturimit të nxënësit. Nëse pikët mund të jenë për notën 6 apo 6-7, unë si mësuese kam lirinë për të vënë edhe 7, sipas angazhimit të tij në klasë, njëlloj rritjeje prej nivelit fillestar. Një votë është pikërisht për këtë lloj formimi. Plus kësaj, votat, notat diskutohen në klasë, nuk i vë vetëm mësuesi, por ai bashkarisht me nxënësit. Unë bëj vetëm propozimin. Në Itali mësuesi ka më shumë liri për vlerësimin e nxënësit, përtej vlerës matematikore dhe një vlerësimi më të ngurtë që ka në Shqipëri. Që besoj se vjen prej shmangies së korrupsionit. Por edhe unë jam e detyruar të veproj sipas sistemit tuaj. Nuk më pëlqen për shembull, kur një nxënës i shkëlqy
