E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbetjet, dorëzohen në KQZ 61 mijë firma kundër ligjit

Gjatë dorëzimit të firmave në KQZ

Dorëzohen pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 61 mijë firmat e qytetarëve që kundërshtojnë ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Ato janë mbledhur në të gjithë vendin nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave, e cila ka kundërshtuar hapur dy nene që lejojnë importin e mbetjeve drejt vendit tonë. Ambientalistët i kanë kërkuar KQZ-së dhe Gjykatës Kushtetuese që të shpallin referendumin në vjeshtë. Ne po ua dorëzojmë vullnetin dhe identitetin e tyre institucionit të KQZ-së. Ne shprehim keqardhjen tonë sot që nuk mundëm të krijojmë kushtet e nevojshme që të transmetonim sot vullnetin e mijëra qytetarëve të tjerë që ishin të gatshëm të firmosnin këtë referendum. Ne i mblodhëm firmat në dimër dhe shpresojmë që KQZ ka kohën e mjaftueshme gjatë pranverës dhe verës që në vjeshtë tu hapin rrugën qytetarëve që të votojnë pro ose kundër iniciativës për referendumin, tha Lavdosh Feruni, AKIP. Përfaqësuesit e Aleancës Kundër Importit të Plehrave kanë dorëzuar, veç firmave në KQZ, edhe fotokopjet e kartave të identitetit të personave që kanë firmosur, për të dëshmuar vërtetësinë e tyre. Ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve u miratua pak kohë më parë nga Parlamenti. Ai është vlerësuar si mjaft pozitiv edhe nga komisionerët europianë për mjedisin, të cilët janë shprehur se ai plotëson të gjitha standardet. Pak javë më parë, vetë kreu i Mjedisit, Fatmir Mediu, është shprehur i gatshëm për ta riparë atë me aktorët e interesit nëse ka nevojë për ndryshime.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›