E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet kura, njeriu më i gjatë në botë ndal së rrituri

Njeriu më i gjatë në botë ka ndalur më në fund së rrituri. 29-vjeçari turk Sulltan Kosen është aktualisht 2 metër e 51 cm i gjatë dhe mendohet se rritja e tij është ndaluar falë një trajtimi të ri.

Sultan Kosen vuan nga një çrregullim i rrallë i quajtur akromegalia, i cili bën që trupi i tij të prodhojë vazhdimisht hormonin e rritjes.

Ky çrregullim i është shkaktuar atij nga një tumor në gjendrën e hipofizës, e cila gjendet në pjesën e poshtme të hipotalamusit, në bazën e trurit.

Doktorët mendonin se e kishin zgjidhur problemin e Sulltanit me operacionin që i hoqi tumorin në vitin 2008. Por për çudinë e tyre, ai vazhdoi të rritej edhe pas operacionit.

Studiuesit në Universitetin e Virxhinias shprehen tashmë se kanë arritur ta ndalin zgjatjen e tij me anë të një trajtimi të ri.

Fermeri 29-vjeçar nga Turqia është një nga 10 personat e vetëm në botë që e kanë kaluar gjatësinë 2.5 metër.

Ai u rrit me ritme normale deri në moshën 10-vjeçare, por shfaqja e tumorit në tru i shkaktoi çrregullimin hormonal që i shtonte dita-ditës centimetrat. / Gazmira Ndoja

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›