Ivanov e Tùrk urojnë në dyvjetorin e pavarësisë
Presidenti i Maqedonisë Gorge Ivanov dhe presidenti i Sllovenisë Danillo Tùrk kanë uruar presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu për dyvjetorin e pavarësisë së vendit.
Në telegramin e tij të urimit Ivanov ka shfrytëzuar rastin për të shprehur besimin e tij se, me anë të përpjekjeve të përbashkëta do të forcohen marrëdhëniet për kultivimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha sferat me interes të përbashkët.
Ndërkaq, në mesazhin e urimit të presidentit slloven Tùrk, pasi ka vlerësuar marrëdhëniet e ngushta dypalëshe ai ka shtuar se hapja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Slloveni, do të ndikojë fuqishëm në bashkëpunimin midis dy vendeve.
Ai ka siguruar se vendi i tij do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën për t’u afruar me strukturat euroatlantike, në procesin e integrimit në organizatat ndërkombëtare dhe zhvillimin e reformave institucionale.