E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mosmbyllja e kampeve në veri, skandaloze

Komisionari i Këshillit Evropian për të Drejta të njeriut, Tomas Hamarberg, e ka quajtur një skandal për bashkësinë ndërkombëtare, mosmbylljen e dy kampeve të romëve në pjesën veriore të Mitrovicës. Ai ka theksuar se kanë kaluar 10 vjet që këta njerëz vazhdojnë të qëndrojnë në atë pjesë, ku ndotja e ajrit vazhdon të jetë në shkallë enorme.

Hamarberg, i cili ndodhet për një vizitë në Kosovë, ka thënë se gjendja është serioze për të gjithë banorët që ndodhen në këto kampe për arsye se kontaminimi me plumb dhe metale të tjera vazhdon të jetë i madh, dhe se efektet janë evidente te banorët e këtyre kampeve, duke mos përjashtuar as fëmijët.

Hamarberg si problem të dytë ka ngritur kthimin e refugjatëve, duke vlerësuar se Kosova nuk është e gatshme në këtë fazë. Ai ka kërkuar nga Gjermania, Suedia, Zvicra dhe Austria të mos i bëjnë presion Kosovës për t’i pranuar refugjatët në këtë fazë kthimin e detyrueshëm.

Komuniteti rom në kampin e Osterode dhe Çesmin Lug është vendosur për më shumë se 10 vjet. Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dy herë kanë dërguar ekspertë mjekësorë, të cilët kanë bërë analiza dhe kanë marrë mostra të caktuara nga banorët dhe nga mjediset në këto kampe, për të vlerësuar shkallën e rrezikshmërisë nga kontaminimi.

Në bazë të analizave të tyre ka dalë se njerëzit urgjentisht duhet të largohen për shkak të nivelit të lartë të plumbit dhe metaleve të tjera në ajër dhe atyre duhet siguruar trajtim adekuat mjekësor për tejkalimin e pasojave shëndetësore. (KosovaPress)

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›