E Diel, 1 Nëntor 2026

Ivanov pranon të marrë pjesë në Samitin e Prizrenit

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, do të marrë pjesë në takimin e presidentëve të rajonit, që do të zhvillohet në fillim të janarit në Prizren, nën patronazhin e Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu. Lajmi bëhet i ditur nga burime të presidencës në Shkup dhe kjo është konfirmuar pas një bisede telefonike që ka pasur Ivanov dje pasdite me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu. Dy presidentët kanë biseduar edhe lidhur me thellimin e bashkëpunimit dhe komunikimit midis dy vendeve. Për takimin e cilësuar "Samiti i presidentëve të rajonit të Ballkanit", që do të organizohet më 7 dhe 8 janar të vitit të ardhshëm në qytetin e Prizrenit, pjesëmarrjen e tyre e kanë konfirmuar Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Dje ka pasur në disa media lajme kontradiktore, sipas të cilave Presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov, nuk do të jetë i pranishëm në këtë takim të nivelit të lartë të presidentëve. Ndërkaq, Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, gjatë ditës së djeshme ka pasur biseda telefonike me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç, Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, dhe Presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. Sipas një komunikate nga departamenti për informim i Presidencës, Presidenti i Kosovës bisedoi me homologët e këtyre vendeve për aspektet e thellimit të bashkëpunimit midis Republikës së Kosovës dhe vendeve respektive. Presidenti Sejdiu gjatë bisedave shtroi idenë e takimit të përbashkët të liderëve të vendeve tona, si pjesë e përkushtimit nga takimet e mëhershme. Të gjithë bashkëbiseduesit ranë dakord që të bëhet harmonizimi i përbashkët për takimin, që mund të mbahet në muajt e parë të vitit të ardhshëm në Kosovë dhe për datën e saktë të të cilit opinioni do të njoftohet me kohë.
Presidenti Sejdiu mori mbështetje nga presidentët Ivanov, Topi e Vujanoviç për proceset e rëndësishme që Kosova ka para vetes, sidomos në bashkëpunimin rajonal, thuhet në komunikatë. Me këtë rast, Presidenti Sejdiu i përgëzoi ata për festat e fundvitit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›