Dënohet administratori i Jasin Kadisë
Administratori i pronave të Jasin Kadisë në vendin tonë, Hamze Aby Rayan, është shpallur fajtor dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda për financim të terrorizmit. Sipas vendimit, Rayan nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale gjatë tre viteve të ardhshme, pasi në të kundërt, ai do të arrestohet menjëherë, ku do të detyrohet të vuajë dënimin me burg. Një seancë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi 6 vjet burg për personin që dyshohet se ka financuar terrorizmin në Shqipëri, Hamze Abu Rayan. Përfaqësuesi i organit të akuzës, Advin Kondili, lexoi konkluzionet përfundimtare, duke radhitur të gjithë veprën penale të shtetasve të huaj që kishin biznese në Shqipëri dhe fitimet e tyre i transferoi për qëllime të dyshimta. Sipas prokurorit, shoqëria "Hoxhall", me pronar të vetëm Jasin Kadi, ka pasur 19 objekte në Shqipëri, të cilat i kishte dhënë me qira. Si administrator të përgjithshëm të këtyre bizneseve, Kadi kishte vendosur shtetasin Hamze Abu Rayan dhe fitimet transferoheshin në një llogari bankare. Sipas prokurorit, akuzat e ngritura fillimisht nga Ministria e Financave janë vërtetuar në hetimin gjyqësor dhe për këtë arsye ai kërkonte dënimin e Rayan me gjashtë vjet burg dhe pesë milionë lekë gjobë. I akuzuari deklaroi se akuzat janë të pabaza dhe do të vërtetojë në gjykatë se është i pafajshëm. Ndërkohë, gjykata vërtetoi, mbi bazën e provave të prokurorisë se Abu Rayan, në funksionin e administratorit të bizneseve të sheikut Jasin Kadi, ka vjelë qira të objekteve, edhe pse ato ishin të bllokuara. Sipas gjykatës, në vijim paratë e fituara nga bizneset transferoheshin në llogari bankare të paidentifikuara, por në vendimin përfundimtar është marrë parasysh rrezikshmëria e personit të akuzuar.
S.Ç.