Larg dhe afër së shkuarës
Vite të shkuara, në fëmijërinë time, më kujtohet një episod që më ka mbetur në mend dhe sa herë që fundviti afrohet, ai më rrëmben e më shpie atje në oborrin e shkollës 8-vjeçare "Teli Ndini" në Vlorën e dashur të viteve ‘60 të shekullit të kaluar. Mësuesja në klasë na thotë disa ditë para pushimeve të semestrit të parë, pra në prag të Vitit të Ri, se të gjithë duhet të sillnim në klasë të nesërmen nga 5 lekë për të bërë pakot dhurata të Vitit të Ri e ku secili nga ne do të merrte një të tillë. Brenda tyre do të kishte gjithfarëlloj lodrash, shumë ëmbëlsira dhe fruta. Kur erdhi dita e shumëpritur për t‘i marrë me gëzim pakot, shkuam në shkollë. Rrugës u bashkuam gjithë djemtë e klasës dhe mendonim e ëndërronim se kush e di ç‘lodër dhe fruta e ëmbëlsira do të na binin në pjesë. Mirëpo mbase dhe jo për faj të mësueses, dhe këtë nuk e vë në dyshim në asnjë mënyrë, por ndoshta për faj të organizimit dhe të mënyrës selektive të përbërjes së pakove, mbetëm të zhgënjyer pjesa më e madhe e nxënësve të klasës, por edhe të shkollës në përgjithësi. Kur i hapëm, e ç‘pamë brenda tyre? Asnjë lodër, por vetëm një biskotë me numër, ndonjë thelpi arre, një karamele dhe letra e madhe ku ishin mbështjellë ato që përbënin pakon e ëndërruar të Vitit të Ri. Duke parë njëri-tjetrin në sy, mes asaj hareje fëminore që ishte krijuar në oborrin e shkollës, ne, një grup shokësh, filluam të qëllonim të pakënaqur njëri-tjetrin me ato çka kishim brenda në pako. Dikush hodhi një fjalë apo më mirë tingëlloi si një varg: "Viti i Ri me duar plot". Kaq u desh dhe u hodh tjetri: "Katër arra një biskotë". U ndjenë të qeshura, fillimisht të lehta, por më pas të forta nga të gjithë të pranishmit aty. Kishte edhe të viteve më të larta. Disa ishin të shoqëruar edhe me prindër. S‘kaloi shumë, por në përsëritjen e të dy vargjeve të mësipërme, diku një tjetër hodhi vargun e radhës: "Edhe lodra s‘kishte fare-Shkolla doli gënjeshtare". Kaq u desh. Oborri filloi si një korr madhështor fëmijësh të përsëriste fjalët e sipërpërmendura dhe vjersha e sapokrijuar u përhap me shpejtësi. Ishte një duf fëmijësh që të zhgënjyer u dilte nga zemra një e vërtetë e pamohueshme. Ai varg u bë si lajtmotiv i asaj ore aty në oborrin e shkollës. Çdonjërit prej nesh iu ngulit në mendje dhe me të në gojë u nisëm drejt shtëpive tona:
Viti i Ri me duar plot
Katër arra një biskotë,
Edhe lodra s‘kishte fare,
Shkolla doli gënjeshtare
Pati shumë të rritur që kur na dëgjonin ta përsërisnim atë për shumë herë radhazi, na tërhiqnin vëmendjen e na qortonin se shkolla nuk duhet sharë dhe kjo nuk është një vjershë e mirë, pasi vërtet Viti i Ri ishte i bollshëm dhe me plot të mira edhe për të vegjlit. Dikë, prindi e merrte përkrahu dhe shpejt e fuste brenda në shtëpi, duke i këputur edhe një pëllëmbë në prani të syve tanë. Sigurisht që edhe unë nuk i shpëtova një qortimi familjar nga ata të fortët edhe me nga një shkulje veshi nga im atë. Ditë më pas morëm vesh se familjen e një shoku tonë të klasës, ndoshta edhe pse kishte recituar këtë vjershë, e internuan nuk e di se ku, në ç‘fshat të humbur përtej qytetit tonë. E natyrshme. Ishte koha e diktaturës.
E megjithatë ne, për çdo Vit të Ri që kalonte gjatë diktaturës, sa edhe sot e kësaj dite, dhe pse kanë kaluar gati 20 vjet në një erë të re nëse do thoshim, mendimi apo dëshire e shoqërisë sonë shqiptare, ajo strofë e krijuar rastësisht, e theksoj rastësisht, aty në oborrin e shkollës fillore, tani edhe pse jam prind, më ka shkuar nëpër mend teksa nga ekrani ku unë transmetoj në të përnatshmen e ditëve, jam drithëruar kur objekt i kronikave tona ka qenë varfëria e tejskajshme e shumë e shumë familjeve shqiptare, dhe e vocërrakëve të tyre. Shumëkush nga ne, përjetojmë të përditshmen në rrugëtimin tonë jetësor dhe secili në hallin e vet e di se ku i dhemb shpirti, aq më tepër nëpër çdo prag të Vitit të Ri. Fëmijët sot sigurisht që nuk janë fëmijët e viteve ‘60-të, por shumica e tyre janë edhe më keq se në kohën e Migjenit të madh të gati 100 viteve më parë, kur shkruante te "Luli i vocërr": "Askush s‘e njef Lulin. As shokët e tij, që përpara tij lozin, nuk e njofin. Ma mirë më thanë se e njofin, por ata lozin për hesap të vet e Luli i shikon për hesap të vet". Më thoni dhe përballuni ju lutem me "Lulët" e sotëm shqiptarë dhe më thoni se jeta nuk është vetëm në shkollat e Tiranës tonë apo në disa prej qyteteve të mëdha të vendit. Por shkolla është edhe atje në periferi të Tiranës, Kukësit, Peshkopisë, Lezhës, Fierit, Skraparit, Vlorës, Rrëshenit, Librazhdit, Sarandës e gjithandej ku do të mundesh të shkosh e të vështrosh e do të ikësh me vrap e do të të vijë të bërtasësh burrërisht apo grarisht se hija e Lulit të vocërr të Migjenit të madh do të të ndjekë nga mbrapa ashtu i mbështetur për muri, ku grushtet e vogla i shtie ndër xhepa dhe të vështron me hundën picirruke të skuqun nga të ftohtit. Shko dhe shikoje ku jeton sërish me "Zoti të dhashë" rrugëve të Tiranës dhe kryqëzimeve të tyre. Shko dhe vështroi ata sy ku brenda tyre lexohet uria, etja për dije e ku trupi do veshur e këmba do mbathur. Shko të lutem e takoi dhe mu përballë e mos më thuaj se Lulët e sotëm s‘janë stërnipa të Lulit të Migjenit, që mbeten si ai ku në tollumbat e veta shifen fare mirë të pestë gishtat e kambëve të zbathuna. Shko të lutem e përballu me ta dhe do bindesh pastaj se në pakot e tyre të Vitit të Ri …ç‘them dhe unë!? E ç‘pako kanë ata për Vit të Ri? S‘kanë as 5 lekë për të paguar gjithsecili që mësuesi t‘u sjellë së paku diçka që sytë t‘u ndrisin e buza t‘u qeshet. Dhe hajde sërish e m‘u përball se ai vocërrak do të kërkojë të vizitojë Tiranën se si punojnë për të institucionet, se si punon për të një industri e tërë njerëzish ku brenda tyre ka me plot gojën mjaft dallkaukë veshur me kollare, njerëz të hekurosur që s‘dijnë të mbërthejnë edhe xhaketat në takime protokollare. Që s‘shkuan njëherë atje ku jeton dhe rritet vocërraku për të parë shkon apo nuk shkon në shkollë "Luli i ri" i shekullit të ri. Hajde m‘u përball dhe më thuaj se nëse Luli i ri i shkollës së periferisë ka ëndërr të vijë dhe të shikojë së paku, pa le ta vizitojë Tiranën me gjithëpërfshirjen e saj. Hajde dhe m‘u përball pastaj për Lulin e ri në mes të Tiranës që për Vit të Ri dëshiron me shpirt dhe e ka ëndërr sipas mundësive që ka të shkojë si fëmijë i lirë në një botë të lirë që mëson librash, fjala vjen në Athinë, Romë, Paris, Londër e më tutje në Amerikë, a ç‘përmban globi i vogël që mëson në orën e gjeografisë? Heu… o prag i Vitit të Ri. Ǒmë zgjon kujtime dhe ëndrra netësh kur edhe unë i vogël prisja në të gdhirë kur hapja sytë e shkoja me vrap pranë pemës për të parë dhe prekur ç‘dhuratë më kishte sjellë babagjyshi?! Herë gëzohesha dhe herë hidhërohesha. E kështu na ikën vitet. Na rritën dhe po na plakin pa buzëqeshur, por jo për fajin e tyre. Hajde m‘u përballë po deshe dhe më thuaj se edhe ky Vit i Ri do na buzëqeshë. Nuk e di, s‘më shqiten nga mendja tollumbat e Lulit të vocërr që kanë me e hangër mësuesin. Ato gishta te tollumbat që kanë hapur gojën ngrohen vetëm në diell. Po mandej. Në shi, në të ftohtë, në dëborë si i bëhet? Heu… o prag i ri viti. M‘u përball dhe mos më thuaj sërish "Zoti të dhashtë"?