E Diel, 1 Nëntor 2026

"Moody‘s" ofron frymëmarrje për Greqinë

Agjencia e vlerësimit të cilësisë së borxheve, "Moody‘s", e uli vlerësimin për Greqinë me një shkallë nga A2 në A1, duke i dhënë mundësi qeverisë greke t‘i bindë investitorët për seriozitetin e masave të saj antikrizë. Vlerësuesi tha se tendenca për Greqinë mbetet negative, por investitorët prisnin që Greqia të humbiste dy shkallë në vlerësim.

"Vlerësimi i Greqisë me A2 paraqet faktin se ka shumë pak rreziqe për paaftësi paguese për Athinën në terma afatshkurtër, ndërsa rreziqet mbeten të larta në terma afatgjata", deklaroi Sarah Carlson, analistja kryesore e rrezikut të borxheve të shteteve sovrane.

Greqia parashikon të tërheqë 53 miliardë euro borxhe të reja vitin e ardhshëm, pasi tërhoqi këtë vit 66 miliardë euro, ndërsa është pranuar gjerësisht se vendi do të vuante pasoja të rënda në rast se "Moody‘s" do ta ulte vlerësimin e vet me tre shkallë në Baa1. Bursa e Athinës u rrit me shpejtësi pas këtij lajmi dhe rikuperoi atë që ka humbur gjatë muajit të fundit. Bursa e Athinës ka humbur rreth 11 për qind të vlerës së vet në një muaj dhe fitoi dje rreth 2 për qind. Bondet dhjetëvjeçare të qeverisë greke u ulën me 22 pikë bazë në 5.742 për qind. Interesat e borxhit grek mbeten 2.5 për qind më të larta se sa interesat e borxhit gjerman me të njëjtin afat maturimi.

Sipas "Moody‘s", Greqia mund të përballet me pamundësi për të rifinancuar borxhin e vet në rast se Banka Qendrore Europiane ndërmerr hapin e pazakontë për të mos pranuar si kolateral bondet e emetuara nga Athina në kreditë që u jep bankave të Eurozonës. BQE si rregull pranon si kolateral vetëm titujt e borxheve të klasifikuara A nga agjencitë e vlerësimit, ndërsa borxhi grek është aktualisht në zonën B. BQE ka kërcënuar Athinën se një masë për mospranim mund të ndërmerret në dhjetor të vitit 2010 dhe se Greqia ka një vit afat për të dëshmuar seriozitet financiar. Greqia ka në plan të ulë deficitin e vet buxhetor në 8.7 për qind të PBB-së në vitin 2010, nga 12.7 për qind që është aktualisht, por masat e premtuara për ta realizuar këtë gjë nuk shihen si të besueshme nga investitorët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›