“Është politikan dinjitoz dhe i qëndrueshëm”
22/12/2009 Dule vijon deklaratat kundër çamëve, merr në mbrojtje Bollanon
Reagon PDU: Dule provokator, bën politikë antikombëtare
PDU-ja dhe PBDNJ-ja kanë vijuar edhe dje replikat në distancë në lidhje me deklaratat që Dule dhe Idrizi bënë disa ditë më parë në adresë të njëri-tjetrit. Vangjel Dule ka dalë në një konferencë për shtyp dhe është shprehur se politikanë të caktuar çështjen kombëtare e kanë shndërruar në merkato politike, duke atakuar kështu drejtpërdrejtë kreun e PDU-së Idrizi. Njëkohësisht Dule ka marrë në mbrojtje kreun e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, i cili sipas tij ka treguar karakter dinjitoz për sa i përket lëvizjeve politike. “Jemi të vendosur, ashtu siç kemi qenë gjithmonë, ndaj të gjithë atyre që si qëllim kanë karrigen dhe jo integrimin e vendit. Pra, jemi kundër atyre që interesin kombëtar e kanë shndërruar në merkato politike.
Vasil Bollano është kryetar i Bashkisë së Himarës, ka kandiduar nën siglën e PBDNJ-së dhe nuk bën ashtu siç bëjnë disa politikanë, që me sigël tjetër e fitojnë mandatin dhe tjetër parti përfaqësojnë”, - tha Dule. Ndërkohë ndaj deklaratave të Dules ka reaguar sërish PDU-ja me anë të një deklarate për shtyp, e cila është shprehur se kreu i PBDNJ-së duhet t’u japë fund provokimeve etnike. Sipas deklaratës, PDU-ja nuk është dhe parti fantazmë, por një forcë politike që punon për mbrojtjen e interesave të pakicës çame dhe është e interesuar për integrimin e vendit. Deklaratat dhe kundër deklaratat nisën rreth tri ditë më parë, kur kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, u shpreh në një forum të kësaj partie se çështja çame duhet të konsiderohet e mbyllur.