E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanovic: Barrikadat nuk do ta kenë të gjatë

Nga Express më 19 shtator 2011 në ora 09:49

“Situata aktuale dhe bllokada e veriut të Kosovës nuk mund të zgjasin shumë. Gjithçka varet se kur përfaqësuesit e BE-së dhe të NATO-s do të kuptojnë se fjala është për luftën të cilën paraprakisht duhet ta humbin”, ka thënë i ashtuquajturi sekretar për Kosovën në qeverinë serbe, Oliver Ivanovic, transmeton telegrafi.

“Me popullin i cili është i paarmatosur ata (BE dhe NATO) nuk kanë asnjë përparësi”, thotë Ivanovic, sipas të cilit është në interesin e të gjithëve “në këtë lojë”, përfshirë shqiptarët e Kosovës, që çështja e pikave kufitare të zgjidhet sa më shpejtë.

Sipas tij, deri në fund të javës do të ketë një zgjidhje, dhe si skenarë të mundshëm, siç thotë ai, “përmend ftesën e Prishtinës që gjithçka të zgjidhet përmes bisedimeve ose të arrihet një marrëveshje në nivelin lokal”.

“As kjo nuk përjashtohet, sepse përfaqësuesit e komunave kanë autorizime në këtë aspekt dhe ata mund të kërkojnë që kjo çështje të zgjidhet. Kërkesa e tyre fillimisht do të jetë tërheqja e doganierëve dhe që EULEX të ketë ingerencat të cilat i kishte më herët, e që pastaj gjithçka të rregullohet me bisedime”, shton Ivanovic, transmetojnë mediat beogradase.

Ai thotë se Prishtina më nuk do të vë embargo ndaj produkteve të Serbisë, dhe se “fjala është vetëm për frikësim”.

“Reagimi i njëjtë i Beogradit bllokadë me bllokadë, vetëm se do ta komplikonte jetën e shqiptarëve dhe të të gjithëve në rajon... Mund ta marrë me mend se si do të ishte po ta bllokonim Konçulin, Dheun e Bardhë, apo Merdaren. Atëherë shqiptarët do të drejtoheshin në Maqedoni dhe Shqipëri, gjë që nuk do të ishte mirë”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›