Ivanoviç: Bisedime për zgjidhjen e konfliktit
Sekretari shtetëror në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç ka deklaruar se bisedimet Prishtinë-Beograd, kanë filluar me tema të vogla, por do të përfundojnë me zgjidhjen e çështjes së vetme të pazgjidhur, konfliktin shqiptaro-serb.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ivanoviç ka deklaruar se aktualisht ka mosmarrëveshje për disa çështje teknike, të cilat politizohen.
“Sot kemi çështjen e telefonisë, pra çështjet teknike, që janë ekzistenciale për serbët që jetojnë atje, në jug të lumit Ibër. Por, nëse e politizoni këtë, që dikush të pranojë pavarësinë, në mënyrë që të ketë telefon, kjo duhet të zgjidhet nën praninë ndërkombëtare. Domethënë bashkësia ndërkombëtare, BE-ja, OKB-ja, do të jenë këtu për të mos i lejuar shqiptarët që t`i politizojnë këto çështje”, ka thënë Ivanoviç.
Ndërkaq, i pyetur pse Serbia vazhdon të financojë strukturat paralele në veri, që shihen si pengesë kryesore e integrimit të serbëve, Ivanoviç ka thënë se Beogradi ka obligime dhe ka të drejtë të financojë institucionet e saj në Kosovë.
Ndërsa për vizitën e kryenegociatori serb, Borko Stefanoviç në institucionet e Kosovës, Ivanoviç ka thënë se vizita ka qenë që të bisedohet për temat që do të diskutohen nesër.
“Borko Stefanoviç, në postin që mban, paraqet nivel të ulët politik për të folur për njohje apo mosnjohje. Ai është atje vetëm për të udhëhequr bisedimet, meqë ai ka marrë mandat të qartë, por asgjë më tepër”, ka deklaruar Ivanoviç.